Wednesday, September 27, 2023
Lajme

A po kërcënohet Kosova sipas modelit rus? Llogoret e luftës i hapi Serbia!

126views

Në vizitën e fundit në rajon, këshilltari special i Departamentit Amerikan të Shtetit Derek Chollet tha se SHBA-të nuk duan të shohin më pengesa në rrugën e dialogut!

“Ne nuk duam të jemi në një diplomaci krize. Së pari targa, pastaj barrikada, ne nuk duam diçka tjetër javën e ardhshme”, citohet Chollet se porositi gjatë vizitës së fundit.

Atëherë a është e mundur një luftë apo një konflikt në Ballkan?

Kryeministri i vendit tha se lufta nuk përjashtohet nga qëllimet e Serbisë, ndërsa presidentin autokrat serb Vuçiq e krahasoi me autokratin Putin.

Putini dhe Rusia me shumë gjasë do të akuzohen mjaft shpejt nga një tribunal ndërkombëtar i drejtësisë, të cilin së fundi bëri thirrje të krijohet edhe ministrja e Jashtme e Gjermanisë Annalena Baerbock. “Një tribunal special për krimet e agresionit kundër Ukrainës”, ka thënë ajo, ndërsa krijimi i tij është përkrahur edhe nga BE-ja, dhe duket se janë duke u diskutuar modalitetet se nga kush dhe si mund të bëhet funksional, duke pasur parasysh vështirësitë që i krijon Rusia, si anëtare me të drejtë vetoje e Këshillit të Sigurimit.

Mënyra më e mirë, do të kishte qenë të ndodhë me përjashtimin paraprak të Rusisë nga OKB-ja, gjë që besoj se do të na kishte hapur shumë dyer neve shqiptarëve, përkatësisht Kosovës.

Nëse krijohet kjo gjykatë speciale, atëherë edhe juridikisht, do të kishim një paralele të plotë Rusi-Serbi, ku liderët e të dyjave vendeve akuzohen dhe gjykohen për krime kundër njerëzimit. Nga Rusia për krimet e kryera kundër vëllezërve të tyre ukrainas, ndërsa nga Serbia për krimet e kryera ndaj popullit autokton shqiptar, nga një popull ardhacak, që propagandon se është autokton në Kosovë.

Është e padiskutueshme nga provat e ofruara deri më tash se Rusia ka kryer krime të rënda lufte, ngjashëm sikurse Serbia në Kosovë, pamëshirshëm, duke vrarë civil, pleq, gra, fëmijë, duke dhunuar femra etj., të shoqëruara me përpjekjet për të zhdukur gjurmët e krimeve, zhdukur kufomat dhe duke bërë varreza masive etj.

Mbetet të shihet se si mund të realizohet përpjekja për gjykatën speciale, e parashtruar nga Ukraina.

Ndërsa, Rusia po e imiton Serbinë, në krimet e kryera në Kosovë, lidershipi serb po e imiton Moskën, në përpjekjet e saj, për ta defunksionalizuar shtetin e Kosovës, qoftë edhe duke krijuar një konflikt në veri.

Sipas kryeministrit Kurti, Serbia po përpiqet ta krijojë një krahinë të kolonizuar ushtarakisht, sikurse ka bërë Rusia në Moldavi me Transnistrinë!

“Nga Ukraina në Kosovë, “Armiku është i njëjti: Putini. Serbia ka marrëveshje me Kremlinin për të destabilizuar rajonin. Kufiri mes NATO-s dhe Rusisë është edhe këtu, në Ballkan”, ka deklaruar Kurti për gazetën italiane “La Stampa”.

Njëra nga përpjekjet e pushtimit rus të Ukrainës, sipas ekspertëve të huaj, ishte që të krijonte një korridor tokësor nga Rusia në Moldavi, Transnistri, dhe po ashtu me synimin që të njëjtin më vonë ta realizonte me Kaliningradin, territor rus në Baltik, por me të cilin nuk ka komunikim tokësor.

Por, nuk ka pritje reale për një luftë në Kosovë. Përveç se kjo përjashtohet nga politikanët, ekspertët ushtarak, ajo nuk mund të ndodhë edhe për faktin e ditur se NATO-ja e ka lehtësisht të parandalueshme, për shkak se disponon me forca të mjaftueshme në Kosovë – KFOR(-in), për një parandalim të okupimit, dhe brenda pak orësh mund të mbarojë punë me ndërhyrje nga ajri, dhe se për të vepruar nuk i nevojitet asnjë autorizim shtesë, nga asnjë agjenci ndërkombëtare, pra as nga OKB-ja!

Prandaj, provokimet dhe taktikat serbe janë pak të mundshme, të çojnë drejt luftës, pavarësisht mbështetjes së madhe, që është duke ia dhënë Rusia Serbisë.

Edhe eksperti gjerman për Ballkanin nga Instituti “Leibniz”, Konrad Kleving, i ka thënë mediumit gjerman “Bild”, se gjithçka është e mundshme në Kosovë, përveç luftës.

“Konfliktet e dhunshme lokale janë veçanërisht të pritshme në veri të Kosovës, ngjarjet janë krejt të hapura. Përveç luftës, gati gjithçka është e mundshme”, ka thënë ai.

Image

Pamjet e llogoreve të hapura nga serbët në veri

Llogore lufte!?

Nga ajo, që pamë këtyre ditëve, gjatë kohës sa barrikadat ishin vënë në veri nga grupet kriminale e paramilitare serbe, rezultoi se ata ishin përgatitur për konflikt atyre ditëve, duke hapur llogore lufte, kanale dhe mburoja me thasë rëre.

Pra, bazuar në këtë, shpërthimi i një konflikti, kuptohet të kontrolluar apo të përkohshëm nuk është i përjashtueshëm plotësisht asnjëherë, aq më tepër që Serbia nuk e ka hequr nga komunikimi asnjëherë kërcënimin me luftë!

Por, ngutja e grupeve kriminale serbe dhe ruse, nën urdhrat e regjimit të Serbisë, mund të kenë komprometuar thellësisht qëllimin e barrikadave si protestë ndaj institucioneve të Kosovës!

Pra, nisur nga këto, Kosova nuk duhet të heqë dorë nga kërkimi dhe arrestimi i atyre serbëve që kanë kryer krime, veçanërisht të atyre që mund të ndërlidhen me krimet ndaj shtetit, dhe me qëllim zhbërjen e institucioneve!

google.com, pub-2164753410198968, DIRECT, f08c47fec0942fa0