Saturday, December 9, 2023
Lajme

Afër apo larg marrëveshjes finale? Kosovës i propozohet plan i përbashkët me SHBA-në kundër tendencave të Serbisë- Përmendet “Plani franko-gjerman”

38views

Çështja e themelimit të Asociacionit mbetët ende temë e diskutueshme.

Krijimi i Asociacionit është kërkesë tashmë e kamotshme nga Serbia, për të cilën nuk pajtohet Kosova.

Por, trysnia e vazhdueshme nga ndërkombëtarët për të pranuar një kërkesë të tillë, tashmë ka arritur të sjell edhe presion më të madh qeverisë së vendit.

Të pranueshme këtë kërkesë e pa së fundmi edhe këshilltari i lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit, Derek Chollet.

Ai ka thënë se SHBA-të presin propozime konkrete në tryezën e dialogut me Serbinë.

E i gjendur në këtë situatë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se çështja e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe mund të adresohet brenda një marrëveshjeje eventuale për normalizimin e plotë të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë.

Kurti, megjithatë, tha se një asociacion një-etnik është kundër frymës së Kushtetutës të Kosovës.

“Jemi në një moment kur flasim dhe diskutojmë për një marrëveshje të normalizimit të plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe aty edhe çështja e Asociacionit mund të adresohet. Megjithatë, Kushtetuta e Kosovës, që i ka dhënë shumë privilegje pakicës serbe dhe që është përpiluar nga zoti [Marty] Ahtisaari dhe nga zoti Albert Rohan, në frymën e saj nuk lejon asociacion njëetnik. Fjalia e parë e atij plani, e asaj zgjidhjeje që është hartuar nga nga Ahtisari dhe Rohan, thotë se Kosova duhet të jetë një shoqëri shumetnike”, tha Kurti.

Mirëpo cila do të jetë qasja për bisedime pas mesazheve të fundit amerikane.

Qarri: Qeveria e Kosovës duhet ta çmojë lartë e marrë në konsideratë me prioritet të posaçëm, përfaqësimin kaq të lartë të SHBA-ve në dialog

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Gani Qarri.

Ai për gazetën tha që Qeveria e Kosovës duhet ta çmojë lartë e të marr në konsideratë me prioritet të posaçëm, përfaqësimin kaq të lartë të SHBA-ve në dialog, me një shtet siç është Serbia fashiste.

“Nisur nga vet fakti se këshilltari i lartë i Departamentit të Shtetit z. Dereck Chollet për nga niveli i detyrave që aktualisht kryen, ai qëndron në funksionin e Zv./Sekretarit të Shtetit dhe është i ngarkuar drejtpërsëdrejti me misione të veçanta diplomatike nga vet Sekretari Anthony Blinken, besojë se Qeveria e Kosovës duhet ta çmojë lartë e marrë në konsideratë me prioritet të posaçëm, përfaqësimin kaq të lartë të SHBA-ve në dialog, me një shtet siç është Serbia fashiste”, u shpreh ai.

Më tej, analisti thekson që përpjekjet e Kosovës duhet të fokusohen për përmbylljen me sukses të bisedimeve me Serbinë hegjemoniste, pa lejuar që ajo të përfitojë, sërish nga situata e brishtë.

“Madje duke pasur parasysh deklaratat e z.Chollet, para se ai ta vizitonte Kosovën, se normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi ka në themel njohjen reciproke, udhëheqja e Kosovës duhet të bëjë çdo gjë që është në mundësit e sajë, për përfundimin, sa më parë të bisedimeve maratonike, me një marrëveshje gjithëpërfshirëse me në qendër njohjen e ndërsjellë, në mënyrë që Kosova ta sigurojë anëtarësimin në OKB si vend i pavarur me të drejta të plota dhe inkuadrohet në të gjitha organizatat tjera ndërkombëtare.

Kështu që, përpjekjet e Kosovës duhet të fokusohen për përmbylljen me sukses të bisedimeve me Serbinë hegjemoniste, pa lejuar që ajo të përfitoj, sërish nga situata e brishtë dhe ta inskenojë përsëri përshkallëzimin e tensioneve, përmes bandave kriminale në krye me kriminelin Radojçiq & Co dhe të ashtuquajturën “lista serbe” për të shkaktuar serish kaos me barrikadim rrugësh e veprime dhune dhe vënë në pikëpyetje çështjen e sigurisë dhe sovranitetin e shtetit tonë, në pjesën veriore të Kosovës”, thekson analisti.

“Qeveria dhe institucionet e vendit, të bisedojnë edhe me bandat kriminale serbe, sa herë që ato nxiten nga Serbia”

Nga ana tjetër, analisti shprehet që Qeveria dhe institucionet e vendit, të bisedojnë edhe me bandat kriminale serbe, sa herë që ato nxiten nga Serbia dhe Kosova të mos lejojë asnjëherë të inkorporojë në bisedime edhe çështjen e shqiptarëve autokton në trojet e veta etnike.

“Në anën tjetër, nuk mund të parashtrohen kërkesa të tilla të ulëta e banale, as nga BE, përfaqësuesit e KFOR-it, apo edhe emisari Eskobar, që shteti i Kosovës, Qeveria dhe institucionet e vendit, të bisedojnë edhe me bandat kriminale serbe, sa herë që ato nxiten nga Serbia, për të vendosur barrikada dhe bllokuar rrugët, në veri të vendit tonë, por Kosovës të mos i lejohet asnjëherë të inkorporojë në bisedime edhe çështjen e shqiptarëve autokton në trojet e veta etnike, nën Serbi, veçanërisht në Kosovën Lindore, të cilët tash e mbi 23 vite, siç dihet botërisht, janë populli më i diskriminuar në rajon dhe mbarë Evropën.

Dhe po qe se institucionet e Kosovës, përkundër të gjithave, vërtetë detyrohen, që medoemos t’i qasen asociacionit, ashtu siç paralajmëroi edhe kryeministri Kurti se mund te jetë pjesë e marrëveshjes sipas planit franko-gjerman, atëherë Kosova duhet ta përpunojë një plan të përbashkët-respektabël, me SHBA-të, që do ti përjashtonte tendencat e Serbisë fashiste, për krijimin e shtetit në shtet dhe bosnjëzimin e Kosovës”, shpjegoi ai.

Image

Gani Qarri

Ndër të tjera, Qarri thotë që imponimet nuk kanë sjellë asnjëherë pajtimin ndërmjet palëve gjithashtu njohja reciproke duhet të jetë pika kryesore në bisedime.

“Imponimet nuk kanë sjellë asnjëherë pajtimin ndërmjet palëve. E kjo është dëshmuar tash e mbi dhjet vite, duke u zhvilluar bisedime vetëm për çështje dytësore, pa u marrë asnjëherë në konsideratë çështjet vendimtare dhe temat kryesore të bisedimeve si të drejtat e barabarta, të pakicave në të dy vendet dhe njohja reciproke Kosovë-Serbi. Akte pa të cilat nuk mund të garantohet përmbyllje e suksesshme e bisedimeve as të arrihet marrëveshje përfundimtare, që do ta bënte normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve, pajtimin ndërmjet shqiptarëve e serbëve dhe as të sigurojë paqe afatgjate në rajon dhe Ballkanin Perëndimor edhe pas më tepër se dhjet vite të bisedimeve”, nënvizoi Qarri për “Bota sot”.

Ahmeti: Zgjidhja e përkohshme psikologjike për palën serbe më shumë do të shfrytëzohet nga strukturat udhëheqëse serbe

Ndërsa, analisti tjetër politik, Hidajet Ahmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që plani franko-gjerman në versionin si është publikuar përmes mediave do t’i hapte rrugë Kosovës në konsolidimin dhe legjitimitetin ndërkombëtar.

“Qeveria e Kosovës duhet të ketë një qasje pragmatike në dialog, e cila do të afronte zgjidhje afatgjatë për shtetin e Kosovës dhe të ardhmen e tij në mekanizmat ndërkombëtar. Plani franko-gjerman në versionin si është publikuar përmes mediave do t’i hapte rrugë Kosovës në konsolidimin dhe legjitimitetin ndërkombëtar, por njëkohësisht shuarjen e ëndrrës serbe mbi Kosovën”, potencon ai.

Sipas analistit Asociacioni serb brenda frymës kushtetuese nuk do të krijonte institucionet dualiste, por do të afronte një zgjidhje të përkohshme psikologjike.

Image

Hidajet Ahmeti

“Përmes kësaj zgjidhje, shteti i Kosovës do të ishte i plotë në kontekstin e kushtetushmërisë dhe ligjëshmërisë. Asociacioni serb brenda frymës kushtetuese nuk do të krijonte institucionet dualiste, por do të afronte një zgjidhje të përkohshme psikologjike, duke e konsideruar si fitore pala serbe, por në asnjë mënyrë nuk do të pengon funksionimin normal të shtetit të Kosovës”, thotë analisti.

“Zgjidhja e përkohshme psikologjike për palen serbe më shumë do të shfrytëzohet nga strukturat udhëheqëse serbe, pasi në kontekstin afatgjatë do të krijonte një mundësi më të mirë për shtetin e Kosovës”, përfundoi Ahmeti për “Bota sot”.