Ambasada Amerikane në Prishtinë në Ditën e Lirisë së Shtypit ka shprehur mbështetjen për gazetarët në Kosovë dhe në botë që rrezikojnë jetën e tyre për të paraqitur të vërtetën, shkruan Reporteri.net.
Përmes një postimi në Twitter, kjo Ambasadë shkruan se gazetarët që raportojnë korrupsionin, ndryshojnë ligjet e përmirësojnë jetën.
“Gazetarët vënë në dukje korrupsionin, ndryshojnë ligjet, reformojnë praktikat e biznesit dhe përmirësojnë jetën.
Në Ditën e Lirisë së Shtypit le të tregojmë mbështetjen tonë për gazetarët në Kosovë dhe anembanë globit që rrezikojnë jetën e tyre për të ekspozuar të vërtetën”, thuhet në deklaratë.
Për një mjedis ku gazetarët mund ta kryejnë lirshëm punën e tyre bëri thirrje edhe shefi i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.
Szunyog theksoi se Raporti i BE-së për Kosovën 2021 pranon se Kosova përfiton nga një mjedis mediatik pluralist dhe dinamik por që shqetësimet mbeten në lidhje me fushatat e njollosjes publike, kërcënimet dhe sulmet fizike ndaj gazetarëve.
“Çdo sulm ndaj gazetarëve, qoftë ai në internet, verbal apo fizik, është i turpshëm dhe duhet dënuar”, tha Szunyog.
Ai u bëri thirrje institucioneve përgjegjëse që të përmirësojnë reagimet ndaj sulmeve dhe formave të tjera të presionit ndaj mediave dhe përgëzoi Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës për rolin e tij në mbrojtjen e gazetarëve dhe të lirisë së shprehjes, thuhet në njoftimin për media. /Reporteri.net