Saturday, January 28, 2023
Aktuale

Analistët: Chollet do të përshpejtojë procesin e dialogut Kosovë-Serbi

20views

Këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, qëndron sot në Kosovë. Ai pritet të takojë zyrtarë qeveritarë e liderë politikë me të cilët, sipas njoftimeve zyrtare, do të bisedohet edhe për dialogun Kosovë-Serbi. Njohës të procesit të dialogut thonë se gjatë vizitës në Prishtinë, Chollet do të kërkojë përshpejtimin e dialogut dhe arritjen e një marrëveshje bazë, sipas planit franko-gjerman.

Ashtu siç edhe u paralajmërua ditë më parë, këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, sot  qëndron në Kosovën. Zyrtari i lartë amerikan pritet të takojë zyrtarët qeveritarë dhe liderë të tjerë politikë.  Chollet me zyrtarët nga Kosova do të diskutojë edhe për dialogun e “ndërmjetësuar nga BE-ja për të arritur marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të fokusuar në njohjen e ndërsjellë”, citon RTK një njoftim të Departamentit të Shtetit.

Duke komentuar ardhjen e Chollet, profesori universitar, Arben Fetoshi, thotë për Radio Kosovën se vizita ka një rëndësi të veçantë dhe ndërlidhet me përpjekjet për përmbylljen e dialogut Kosovë-Serbi.

“Jam i bindur se Chollet do të përcjellë mesazhin amerikan për prioritizimin e aspektit të sigurisë në rajonin tonë, duke pasur parasysh zhvillimet e fundit. Në anën tjetër, do të nxisë planet që sa më shpejtë të kthehen në dialog, me qëllim që mbi bazën e këtij plani të bëjnë përpjekje që sa më parë të arrihet marrëveshja finale e cila do t’i normalizonte raportet dhe do t’i jepte mundësi konsolidimit të paqes në Ballkanin Perëndimor”, tha Fetoshi.

Edhe profesori i shkencave politike, Dritëro Arifi, beson se nga kjo vizitë do të përshpejtohet rrjedha e dialogut, drejt marrëveshjes finale.

Përshpejtim do të ketë. Për këtë edhe janë shpeshtuar vizitat e niveleve të tilla. Pikërisht për të vetmin qëllim, për ta përshpejtuar sidomos propozimin franko-gjerman që palët të kenë marrëveshje bazë fillimisht, që do të shpie në marrëveshjen finale”, tha ai.  

Analisti politik, Artan Muhaxheri, thotë se temë e bisedimeve mund të jetë edhe çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Kërkesat amerikane janë të qarta. Njëra nga to është edhe çështja e asociacionit, ku kërkohet një angazhim më frytdhënës nga Kosova, për idenë e asociacionit, draftimin e statutit për të dhe për fillimin e hapave konkretë drejt realizimit të tij”, tha Muhaxheri.

Pas Kosovës, këshilltari Derek Chollet, do të udhëtojë në Serbi më 12 janar. Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jetë një ndër temat kyç edhe gjatë takimeve në Beograd.