Saturday, February 4, 2023
Lajme

Analistët: Kosova duhet të angazhohet për marrëveshje finale

35views

Pas deklaratave të amerikanëve se është urgjente krijimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, njohësit e çështjeve politike në Kosovë thonë se Kosova duhet të angazhohet për marrëveshje finale.

Ata thonë se çështjet e tjera siç është edhe ajo e Asociacionit, duhet të diskutohen në kuadër të marrëveshjes finale. Ndërsa, theksojnë se Serbia nuk do të pranojë marrëveshje finale, pa zgjidhjen e çështjes së Asociacionit.

Kohët e fundit ka pasur deklarata të shpeshta nga përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës se në agjendën e dialogut ndërmjet Kosovës e Serbisë, është urgjente edhe krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ndërkohë, profesori i Diplomacisë në Universitetin e Parisit, Valon Murtezaj, tha për Radio Kosovën se për Kosovën është shumë e rëndësishme që t’i dijë prioritetet e veta dhe se cilat janë vijat e kuqe që determinojnë edhe ruajtjen e kushtetutshmërisë.

“Kosova duhet të angazhohet për marrëveshje finale. Të gjitha çështjet dilematike e shpeshherë edhe problematike, si çështja e Asociacionit, duhet të diskutohen në kuadër të marrëveshjes finale. Nuk është mirë, as si strategji, as si taktikë e negocimit, që tema më të vogla të diskutohen veç e veç, sepse pastaj risku dhe rreziku nga bërja e konsensioneve rritet. Prandaj, duke pasur parasysh që procesi i dialogut ka rreth 11 vjet që kur ka filluar, tani është koha për të pasur një marrëveshje finale, që do të ndihmonte Kosovën dhe Serbinë në procesin e integrimit evropian”, tha ai.

Ndërsa, analisti Artan Muhaxhiri theksoi se kërkesat e amerikanëve tashmë janë bërë të qarta për sa i përket çështjes së Asociacionit. 

“Kërkesat amerikane janë të drejtpërdrejta. Pra, është çështja e asociacionit, një angazhimi më frytdhënës të Kosovës për idenë e asociacionit, për draftimin e statutit dhe për fillimin e hapave konkretë drejt realizimit të tij. Në anën tjetër, është tema madhore e vijave të kuqe për marrëveshjen finale, e shtyllave të kësaj marrëveshjeje, pra, dakordimi se deri ku mund të shkojë Kosova në këtë kontest”, tha ai.

Por, njohësi i çështjeve politike, Blerim Burjani, thekson se Serbia nuk do të pranojë marrëveshje finale, pa zgjidhjen e çështjes së Asociacionit.

“Për neve do të ishte shumë me e pranueshme që të merremi vetëm me zgjidhjen përfundimtare, pra më planin franko-gjerman, ku brenda planit të tillë mund të ketë diçka të ngjashme si bashkësi komunash, por në asnjë variant si bashkësi komunash etnike, sepse është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe me kartën për vetë administrim lokal të Këshillit të Evropës. Por, normal që Serbisë i konvenon vetëm Asociacioni i komunave të diskutohet gjatë kësaj periudhe“, tha ai.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, javëve të fundit kanë kërkuar që Kosova dhe Serbia t’i kthehen përpjekjeve të tyre për të krijuar një ambient për dialog ndërmjet palëve.

Gjithashtu, kanë kërkuar që të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të procesit të dialogut, duhet të zbatohen plotësisht dhe pa vonesa.