Saturday, January 28, 2023
Lajme

​Deklarata skandaloze e Daçiq, ish-zëdhënësi i Millosheviqit e quan masakrën e Reçakut inskenim

121views

Deklaratat skandaloze dhe mohuese për masakrën e Reçakut që vijnë nga Beogradi kanë vijuar edhe sot (e hënë). Ka qenë ish-zëdhënësi i kriminelit Sllobodan Millosheviq, aktualisht ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq që e ka quajtur Reçakun si inskenim ndërsa tha se u përdor si alibi për të bombarduar Serbinë. Megjithëse kjo nuk është hera e parë që Daçiq deklaron një gjë të tillë. 

Daçiq, për masakrën ku u vranë e u masakruan 45 shqiptarë të pafajshëm e të paarmatosur, dëshmitë e të cilave i pa e gjithë bota dhe i verifikuan edhe misionet ndërkombëtare, tha se aty ka pasur përleshje me armë.

Daçiq: Reçaku ishte inskenim

“Dëshiroj t’ju kujtoj që William Walker, i cili në atë kohë ishte në kryesi të misionit verifikues të OSBE-së, menjëherë e kishte shpallur se ajo ngjarje në Reçak ka të bëjë me masakër. Për më shumë edhe zyrtarët amerikanë flisnin se janë të vrarë fëmijët, gratë etj. Që do të thotë se, para se të bëhej një lloj analize se a ishte ajo aksion i armatosur në mes të formacioneve të armatosura të shqiptarëve apo kishte të bëjë me civilë. Lidhur me këtë ngjarje kishte shumë fjalë në të kaluarën. Unë them që ai rast është përdorur si arsye për bombardimin e Serbisë… E gjitha kjo ishte një inskenim, se gjoja kishte ndodhur masakër apo vrasje të civilëve. Kjo ngjarje është përleshje e armatosur në mes të grupeve terroriste dhe policisë sonë. Kjo është e vërteta e plotë”, tha Daçiq.

Gjatë konferencës me ministrin e Jashtëm të Togos, Robert Dussey, Daçiq e falënderoi që ky vend e ka tërhequr njohjen ndaj Kosovës, duke pretenduar se janë 27 vende që tashmë e kanë bërë një gjë të tillë.

Daçiq: 27 vende e kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës

“Unë dëshiroj që edhe këtu t’i falënderohem sinqerisht sepse në qershor, gjatë takimit tim në Togo, ku kemi biseduar lidhje me çështjen e Kosovës, Togo atëherë kishte marrë vendimin që të suspendojë, ta heq vendimin për njohjen e Kosovës, si shtet të pavarur. Unë i falënderohem dhe edhe njëherë dëshiroj t’ju kujtoj se 27 shtete kanë hequr vendimet për njohjen e Kosovës. Dhe nga pikëpamja jonë kjo është e rëndësishme pasi që hapen mundësitë për marrëveshje, për dialogun, sepse ata të cilët e duan Kosovën e pavarur, duan që t’i bien shkurt, ose me dhunë, ose me anashkalime të votave nëpër forume të ndryshme ndërkombëtare”, tha Daçiq.

Deklarata skandaloze për masakrën e Reçakut nga Beogradi zyrtar ka pasur edhe në të kaluarën. Më 5 dhjetor të vitit 2019, presidenti aktual i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili atëbotë ishte ministër i informatave, deklaroi se masakra e Reçakut është fabrikim dhe falsifikim.