Saturday, February 4, 2023
Lajme

“Dekurajuese, dëshpëruese”/ Befason Liri Loshi, përmend dy paradokset e Qeverisë Kurti

10views

Ish-kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje Liri Loshi, ka thënë se ndihet i dëshpëruar me Qeverinë e Kosovës. Në një postim në Facebook, ai ka përmendur dy paradokse të Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti, përcjell Bota sot.

Loshi e ka quajtur dekurajues faktin që Qeveria në vend që të flasë për sukseset e veta, po flet për qeveritë e kaluara. Sipas tij, Qeveria nuk po mundohet fare të fshihet pas dy krizave globale, për të cilat është shprehur i bindur se e “kanë vështirësuar shumë punën e saj në aspekt të zhvillimit ekonomik”.

Reagimi i Loshit në Facebook:

Dy paradokse

Paradoksi i parë. Qeveria e Kosovës në vend se të flasë për sukseset e veta dy vjeçare, na foli për qeveritë e kaluara! Me këtë na tregoi se ne jemi e keqja më e vogël e mundshme e Kosovës! Këtë e kam pas thënë unë shumë vite më parë, pra se Vetëvendosja ishte e keqja më e vogël e Kosovës, në raport me partitë tjera politike në vend. Por, nuk kam pritur se pas dy vite qeverisjeje, ata vetë ta konfirmojnë opinionin tim e që në fakt ka qenë edhe opinion i shumë të tjerëve, jo vetëm imi.

Vërtet dekurajuese!

Paradoksi i dytë

Nuk ka vend në botë që nuk është afektuar nga dy krizat globale: pandemia e Covid-19 dhe lufta në Ukrainë. Qeveria kësaj radhe nuk u mundua fare të fshihet pas këtyre krizave që jam i sigurtë se e kanë vështirësuar shumë punën e saj në aspekt të zhvillimit ekonomik. Në fakt, ky mund të jetë faktori kryesor për ngecjen ekonomike në Kosovë. Nëse ndërtojmë sot një shtëpi, kostoja është një apo dyherë më e lartë se para pandemisë Covid-19. Njësoj është edhe me kosoton e projekteve më të mëdha, të cilat kjo qeveri as që i ka nisur. Disa materiale jo që kanë kushtuar më shtrënjtë, por një kohë bukur të gjatë as që janë gjendur fare. Dhe, hezitimi për të ndërtuar një hekurudhë, një magjistralë, një urë… duke pritur stabilizimin e tregut, respektivisht një kosto më reale, mund të jetë edhe i arsyeshëm. Prandaj, qeveria duhet të na i paraqesë në mënyrë të sinqertë dhe të saktë këto rrethana vështirësuese e jo të na flasë për hajnitë, korrupsionin dhe krimin e qeverive të kaluara! Sepse, meqë ato paskan pushuar, atëherë është një rrethanë me e lehtë për vendin që ai të shënojë progres ekonomik dhe jo ngecje!

Dhe, kur ti e sheh se kjo qeveri nuk ka ide se si të prezantojë disa fakte aq të dukshme e të pranueshme për qytetarin, fakte pra që do të ishin në dobi të vetë asaj, atëherë doemos se të lind dyshimi se ka mungesë të dijes edhe për fillimin e projekteve që përparojnë vendin.

Vërtet, dëshpëruese!