Saturday, January 28, 2023
Aktuale

E thotë Walker: Serbia të njoh Kosovën, ndryshe s’pritet marrëveshje e shpejtë

54views

Ambasadori William Walker thotë se gjëja kryesore që Serbia mund të bëjë për të ecur përpara negociatat është që ta njoh shtetin e Kosovës, në të kundërtën thekson se nuk do të ketë një marrëveshje së shpejti. Sipas tij, është e pakuptimtë që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të bëhet sipas kërkesave të palës serbe.

Në një intervistë për KosovaPress, Walker thotë se Kosova është vend i lirë, i pavarur, dhe demokratik si dhe pjesë e vlefshme e Evropës moderne, dhe se duhet ta njohin edhe vendet që nuk e kanë bërë deri më tash një gjë të tillë. 

Walker: Serbia duhet të njoh Kosovën që negociatat të ecin përpara 

“Unë padyshim shpresoj se do të ketë një marrëveshje të nënshkruar e cila është një përfitim për të dyja palët. Që asnjë vend që e nënshkruan atë të mos arrijë sukses, mendoj se Ballkani dhe Evropa do të ishin një vend më i mirë me një marrëveshje. Por një marrëveshje që është e drejtë për të dyja palët, që është e mirë për të dyja palët… Epo, padyshim që ka mosmarrëveshje tani për këtë dhe ndodh që besoj se gjëja kryesore që Serbia mund të bëjë për të ecur përpara negociatat do të ishte njohja e Kosovës. Nëse ata nuk janë të gatshëm ta njohin Kosovën si një komb tjetër të pavarur, nuk jam i sigurt se do të keni një marrëveshje së shpejti”, thotë Walker. 

Ambasadori amerikan, i cili i tregoi botës për masakrat e forcave serbe në Kosovë, flet edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për çka shprehet kundër idesë së Serbisë. 

Walker: Nuk e kuptoj pse është kaq i rëndësishëm Asociacioni

“Gjatë karrierës time në shërbimin e jashtëm në shumë vende të botës, nuk kam qenë kurrë shumë pro që një grup njerëzish të jetojnë dhe të thonë, po, ne jemi pjesë e Kroacisë, ose po, jemi pjesë e El Salvadorit, por nuk duhet t’u bindemi të gjitha rregullave si për qytetarët e tjerë. Pra, në një komunitet të Asociacionit, mund të jetë, si një klub apo diçka e tillë, mund të jetë diçka që përpiqet të promovojë përfitime për ato komunitete, por t’i jepet asaj një pavarësi e plotë ose diçka si pavarësi brenda një vendi sovran, nuk jam i sigurt se e kuptoj pse është kaq e rëndësishme”, shprehet ambasadori Walker. 

Serbia ka rritur provokimet në veri të vendit, duke vendosur edhe barrikada në dhjetor të vitit që lamë pas. 

Përballë kësaj situate, Walker thotë se presidenti serb Aleksanër Vuçiq jeton sikur të ishte në periudhën para 1999-ës. 

Serbia nuk e ka ndalur as të ashtuquajturën fushatë të çnjohjeve për Kosovën, ndërkohë që vendi nuk ka pranuar njohje të reja që prej shkurtit të vitit 2021 kur janë vendosur marrëdhëniet diplomatike me Izraelin. Lidhur me këtë Walker adreson kritika tek vendet që nuk e kanë njohur Kosovën. 

Walker: Si mundet një vend evropian të mos e njoh Kosovën?

“Unë nuk e kuptoj botën e lirë, nuk e kuptoj, në fakt mirë e kuptoj, por nuk e pranoj që një vend si Spanja, një vend modern, demokratik, evropian, të mos e njeh Kosovën. Po, ata kanë probleme të brendshme me Katalonjën, kanë probleme të brendshme, por nuk është njësoj si ajo që ishte e gabuar në Kosovë në kohën e Millosheviqit. Unë nuk shoh arsye që shumë vende ta njohin Kosovën, disa prej tyre ndoshta nuk e dinë se ku është Kosova, disa prej tyre ndoshta nuk e dinë se çfarë është Kosova, por e di që qeveria këtu, qeveria e mëparshme, qeveria aktuale, përpiqet të edukojë vendet e tjera që nuk e kanë njohur Kosovën se pse duhet ta njohin. Ju e dini, Spanja nuk është Serbi, çfarëdo që të jenë problemet e tyre brenda, ata duhet të pranojnë se Kosova është një vend i lirë, i pavarur, dhe demokratik, është një pjesë e vlefshme e Evropës, e Evropës moderne, ata duhet ta pranojnë këtë”, thotë Walker.

Ai thekson se Kosova duhet të jetë pjesë e organizatave ndërkombëtare dhe e integruar në Bashkimin Evropian, pasi siç thotë ai, i ka plotësuar të gjitha atributet. 

Walker: Kosova e meriton të jetë e integruar 

“Përsëri, nuk i di detajet, nuk e kam idenë se ku qëndron. Nga sa kuptoj për BE-në, Këshillin e Evropës, Kombet e Bashkuara, çdo organizatë që pretendon se përfaqëson shumë vende, duke u përpjekur të sjellë paqe në botë, mendoj se do ta mirëprisnin anëtarësimin e një vendi si Kosova. Pse anëtarësimi kërkon shumë kohë ose duhet të plotësoni disa standarde apo diçka të tillë, nuk e kuptoj. Kosova me sa shoh kur vij këtu, i ka të gjitha atributet e modernes, demokratikes, duke u përpjekur të bëjë një vend më të mirë për vete, për qytetarët e saj, një të ardhme më të mirë për të ardhmen e Kosovës dhe qytetarëve të saj, pse të mos jetë pjesë e ndonjë organizate që përfaqëson Evropën”, thotë Walker. 

Se a është vonuar anëtarësimi i vendit tonë në NATO dhe në BE, ish-shefi i OSBE-përgjigjet duke thënë se nuk ka asnjë arsye që të mos valojë flamuri i Kosovës në selinë e OKB-së, në Nju Jork. 

Walker: Pse të mos valojë flamuri i Kosovës me 180 shtete në Nju Jork

“BE dhe NATO, ata kanë standarde se si e trajtojnë një kërkesë për anëtarësim. Sapo dëgjova lajmin se një vend në Evropë është kritik ndaj anëtarësimit të Suedisë në NATO. Pra, edhe një vend si Suedia aplikon për anëtarësim në NATO, dhe dikush, ndonjë vend, apo dikush thotë, prisni, ne duhet ta shohim këtë. Pra, për t’u anëtarësuar në institucione të rëndësishme si NATO, si BE, si Kombet e Bashkuara, ka standarde që duhen përmbushur, dhe ju duhet ta bëni këtë. Përsëri, Kosova për mua tashmë është një vend që ka treguar parimet e saj demokratike, ka treguar se dëshiron të jetë pjesë e Evropës më të madhe, edhe për të pasur përfitimet e saj, por edhe për të ndihmuar Evropën të jetë një vend më i mirë. Pse do të kishte bllokime apo ndonjë gjë që Kosova të bëhet anëtare e NATO-s, apo BE-së apo Këshillit të Evropës, nuk e kuptoj. Kombet e Bashkuara. O Zot. Pse të mos valojë flamuri i Kosovës me 180 shtete në qytetin e Nju Jorkut në selinë e Kombeve të Bashkuara? Nuk e kuptoj që një vend si Rusia, Kina, mund të vënë veton. Nuk e kuptoj. Kosova është një komb paqedashës, ata e dinë se çfarë është lufta, prandaj duan të jenë pjesë e atyre institucioneve”, thotë Walker. 

Krejt në fund ai jep edhe mesazhin e tij për lidershipin kosovar. 

Walker: Lidershipi kosovar të punojë më shumë për vendin, jo për politikën 

Epo. Unë, nuk jam mjaftueshëm inteligjent, nuk jam mjaftueshëm i vetëdijshëm për atë që ndodh këtu politikisht, vetëm shpresoj që të gjithë ata që janë të përfshirë në politikën e këtij vendi të kalojnë më shumë kohë duke u përpjekur ta bëjnë këtë një vend më të mirë, duke u përpjekur ta bëjnë botën të kuptojë se çfarë është Kosova, dhe më pak të luftojnë për politikë, kush ka më shumë vota, kush ka më shumë vende në parlament, kush do të jetë ministër. Këto janë çështje të rëndësishme, por jo aq të rëndësishme sa për të ndihmuar Kosovën t’i shpjegojë botës se çfarë është. Populli i Kosovës meriton një të ardhme shumë më të mirë. Ata kanë një të ardhme shumë më të mirë tani se sa në vitin 1999, 1998. Ata kanë treguar se duan të jenë dhe janë një vend demokratik. Lidershipi duhet të kuptojë se politika është e rëndësishme, por jo aq e rëndësishme sa e mira e vendit. Dhe unë mendoj se disa politikanë nuk veprojnë gjithmonë mbi këtë bazë