Naim Fetahu, kandidat i PDK-së për Kryetar të Komunës së Podujevës, ka thënë se pushteti lokal atje ka dështuar në menaxhimin e situatës me koronavirusin.
“Në pikun e pandemisë është shkarkuar Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë. Ka shkatërruar kapacitetet të menaxhimit të COVID-19. Janë një mijë të infektuar dhe kostoja për shërimin e një pacienti është deri në 600 euro. Familjet dhe pacientët nuk janë ndihmuar për tejkalimin e kësaj situate”, ka thënë Fetahu.
“Ka pasë keqpërdorime në sferën e shëndetësisë. Pandemia është përdorur për keqpërdorime dhe përfitime personale. Autoambulancë ka blerë komuna për 60 mijë euro dhe Komuna e Mamushës të njëjtën e ka blerë 30 mijë euro. Disa fshatra janë mbajtur të izoluar për një kohë të gjatë dhe nuk janë furnizuar me ushqim. Menaxhimi i pandemisë ka mundur të bëhet më mirë por ka dështuar”.
Fetahu në Info Magazine është shprehur se kur ai ta marrë drejtimin e komunës me 29 nëntor, do ta ndihmojë çdo familje dhe inpid në Podujevë, të cilët janë infektuar me COVID-19.
Ai në debatin e organizuar me të gjithë kandidatët ka treguar disa prej pikave të tij më të forta, pse meriton besimin e llapjanëve dhe gollakasve.
“Pika ime e fortë është se nuk kam qenë i provuar në komunë, kam program zgjedhor të detajuar -kontratë me qytetarët. Jam ekonomist me profesion dhe mund të menaxhoj më mirë se kundërkandidatët e mi”.