Saturday, February 4, 2023
Lajme

Fjalët rrëqethëse të veprimtarit nga Amerika – paralajmëron Kosovën për këtë gjë!

126views

Situata në vendin tonë po vazhdon të jetë e tensionuar me shumë ngjarje të rëndësishme.

E në lidhje me situatat e fundit në vend, përmes një postimi në Facebook ka shkruar veprimtari nga Amerika, Ramazan Bekteshi.

Ai u shpreh se një frikë e ka kapluar për ngjarjet në Kosovë dhe situatat që mund të vinë në të ardhmen, përcjell “Bota sot”.

Sot kam frikë, shumë frikë, jo më nga Serbia fashiste e Vuçiqit, por nga fashistët shqiptarë që i bëhen krahë Vuçiqit”, shkruan veprimtari.

Nga ana tjetër ai shton që ka frikë për ata që konsiderohen si alternativë për dialog, ata që binden lehtë nga presioni Escobar.

Thuaji jo, Asociacionit me kompetenca ekzekutive, thuaji jo, Asociacionit që cenon kushtetutën, jo, Asociacion pa njohje dhe marrëveshje finale”, nënvizon Bekteshi.

Postimi i plotë

Frikë për të ardhmen e Kosovës

Ka do kohë që shqiptarët kudo që janë, i ka pllakos një ndenje e frikës për Kosovën, pos Edi Ramës. Ndjenja e frikës te ne shqiptarët tingëllon keq, si një ndenje oguri, paranoje, që manifestohet herë si ankth, herë si panik, dhe kur shfaqen incidente si në Veri, frika sikur shndërrohet në terror kolektiv, në tronditje, derisa kur vendosen barrikadat, kjo frikë kthehet në alarm edhe për ndërkombëtarët. Por në realitet, pse kjo frikë kolektive për Kosovën?

Ekspertët e fushës thonë se frika mund të jetë e shëndetshme, ajo është programuar në sistemin tonë nervor dhe na jep instinktet e mbijetesës që na nevojiten për të mbrojtur veten nga rreziku. Sipas fjalorëve të ndryshëm frika definohet si: “një emocion i shkaktuar nga besimi se dikush ose diçka është e rrezikshme, ka të ngjarë të shkaktojë dhimbje ose një kërcënim.”

Sot frikën dua ta ndjej si një emocion universal, si një britmë të shurdhër dhe ta shtjelloj si nevojë, frikën ta përdor si arme, si shpëtim kolektiv e kombëtar. Dhe, nga kjo frike lind dhe mllefi, protesta, kritika, si ky shpërthimi im ne vazhdim:

Sot kam frikë, shumë frikë, jo më nga Serbia fashiste e Vuçiqit, por nga fashistët shqiptarë që i bëhen krahë Vuçiqit.

Kam frikë, shumë frikë kam sot, nga oportunizmi intelektual, kam frikë nga frika e tyre për të luftuar të ligën.

Kam frikë të madhe sot, kam frustrim nga politikanët, nga lakmia e verbër e tyre, kam frikë nga servilizmi, tradhtia, kam tmerrësisht frikë nga inferioriteti i tyre karshi ndërkombëtarëve.

Kam frikë nga mëkatet e politikanëve, nga mallkimi i vendit, kam frike nga nëmat e tokës qe ajo u shit sa vlera e një kutie duhani, jam i tronditur për tokën që u fal për një post kryeministri.

Kam frikë, fort frikë kam, ndihem i turpëruar nga parlamenti, që është bërë një arenë përplasjesh e sharjesh, aty ka spektakël përpara kamerave ‘live”, aty ka kërcënime me njëri-tjetrin e duke i sha robt në sy të fëmijëve.

Kam frikë, shumë frikë, kam ankth nga çmenduria e disa TV studiove, disa analistëve, që promovojnë në publik urrejtjen, disfatizmin. Frikë nga ‘Sputniku’ që zbriti në Kosovë dhe jeton me ne. Kam frikë nga fondet e huaja të dyshimta që i financojnë këto TV studio.

Kam frikë për ‘Fuqinë e shtatë’, i shqetësuar për gazetarinë hulumtuese, për gazetarët e heshtur, të frikësuar nga nëntoka, frikë për fatin e tyre, frikë për kurajën e tyre që s’duan apo s’munden t’i hulumtojnë politikanët që i vunë thikat mbi harta e deformime tjera.

Kam frikë, fort frikë kam, i pafuqishëm jam kur heshtin studentët, qytetarët, intelektualët. Frikë i kam për të instrumentalizuarit e sindikatave që luajnë me arsimin, me fatin e jetëve të njoma, që kërcënojnë paqen kur Kosova e ka pisk në veri.

Frikë kam, fort frikë, i turpëruar nga veteranët e rrejshëm, 60 mijë, që gërryejnë buxhetin e shtetit, që kërcënojnë shtetin për më shumë para, por heshtin kur Serbia kërcënon vendin.

Frikë kam, shumë frikë, i dëshpëruar për Akademinë e udhëhequr nga një parti e vetme pas lufte, akademinë përtace, akademinë shterpe, që sundohet nga një grup të mjerësh që supozohet të jene ndërgjegjja e kombit, me botime ordinere të qarkut të tyre, por as për afër akademike, një akademi pa vizion e rraskapitur nga dembellëku.

Frikë kam, deri në lemeri, i tronditur, kur universitetin e sundon po ashtu një parti tjetër e vetme pas lufte, kam ankth kur mbahet peng universiteti nga pseudo intelektualë, që e çuan këtë institucion të lartë buzë greminës, me renditje poshtëruese në rajon.

Kam frikë, kam ankth, kur shtetin tonë laik tentojnë ta shndërrojnë në sheriat, kam frikë, jam i turbulluar, kur klerikët tanë pasanikë përzihen në punë të shtetit, apo kur tentojnë t’i indoktrinojnë besimtarët me kultura antishqiptare.

Kam frikë për nxënësit tanë, i trembur për motivimin, bullizmin dhe dhunën nëpër shkolla, kam merakosje për rezultatet e dobëta, për braktisjen e bankave.

Kam frike, kam shqetësim, për dhunën në familje, për vrasjet e grave, i brengosur për pabarazinë gjinore.

Kam frikë, nervozë kam për braktisjet masive të vendit, shqetësohem për ikjen e kuadrove profesioniste, për zbrazjen e shkollave, për humbjen e shpresave tek mëmëdheu.

Kam frikë, shumë frikë kam, indinjatë, për ata që janë të thirrur të ndajnë drejtësi, por paradoksalisht vazhdojnë të ndajnë padrejtësi.

Kam frikë, një frikë si për kob, sepse kryeministri shqiptar mban krahun e hasmit, kam frikë dhe një parandjenjë se historia po na përsëritet.

Kam frikë, për përçarjet para finales së madhe para dialogut, gjithashtu dua tu lutem, bashkohuni për aktin final, për hir të integritetit territorial, sovranitetit dhe kushtetutës sonë.

Frikë kam nga kryenegociatorët e huaj tugjarë, por edhe me shume frike kam nga politikanët tanë, që janë në gjendje të aprovojnë çdo kërkesë të tyre.

Frikë kam, frikë të keqe, për ata që konsiderohen si alternativë për dialog, ata që binden lehtë nga presioni Escobar. Pse Escobari nuk ka alternativa në Beograd, sepse ata nuk përçahen si Prishtina.

Thuaji, jo, grusht shtetit, jo, alternativës, jo, tradhtisë, përkrahni qeverinë pa hile gjatë dialogut.

Thuaji jo, Asociacionit me kompetenca ekzekutive, thuaji jo, Asociacionit që cenon kushtetutën, jo, Asociacion pa njohje dhe marrëveshje finale!

Më në fund meqë frikës ia përkushtoj edhe një frazë, ‘frika e guximshme’, pra, një oksimoron, për politikanët tanë që kanë frikë, dhe një antonim për frikën e që është guximi, dhe t’i përkujtoj të gjithë ata miqtë që vajtuan fort, dhe rënkuan deri në kupë të qiellit, për dy gërvishtjet aksidentale gjatë kërshëndellave ortodokse.

Sot frikën dua ta ndjej si një emocion universal, si instikt mbrojtës, sepse frika ime është frika jonë, një rënkim buçitës pa zë, dhe një kushtrim!