Konfliktet mes partive dhe brengosja e Fehmiut
Më 24 mars 1999 filluan bombardimet e caqeve serbe në Prishtinë. Në shtëpi ishim unë, Fehmiu dhe djali Mentori, sepse djali tjetër Shpendi kishte vajtur te vjehrra.
Tri netët e para qëndruam në shtëpi, Fehmiu nuk dëshironte të largohej nga shtëpia. Një kojshi na ofroi të shkojmë tek ata që të ishim më të sigurtë, dhe pas shumë lutjeve shkuam atje, por vetëm natën, sepse gjatë ditës përsëri ktheheshim në shtëpinë tonë. Ditën e gjashtë të sulmeve ajrore të NATO-s ishte qëlluar ndërtesa e MPB-së në Prishtinë. Të nesërmen trupat e Arkanit e gjuajtën shtëpinë tonë nga një xhip dhe kishin bërë mjaft dëm. Ndenjëm deri në ora 15.00. Atë ditë vazhdimisht dëgjoheshin të shtëna armësh në lagjen tonë “Dragodan” dhe policia, edhe paramilitarët serbë, filluan t’i nxjerrin me dhunë njerëzit nga shtëpitë. Djali ynë Mentori dilte jashtë dhe pasi shikonte na tregonte se ka shumë të rrahur e të plagosur. Mentori e luste Fehmiun që të largohemi nga shtëpia sa nuk është bërë vonë, por Fehmiu nuk dëgjonte. Atë mbrëmje pati edhe një shpërthim të fuqishëm në qendër të “Dragodanit”.
Vendosëm të shkonim për më shumë siguri në shtëpinë e akademik Rexhep Ismajlit. Kur arritëm atje, Rexhepi ishte nisur të largohej për te miku i tij, ndërsa ne ndenjëm aty me motrën e tij, dhëndrin dhe fëmijët e tyre. Fehmiu me çdo kusht mundohej që edhe Mentori të shkonte me Rexhep Ismajlin, duke menduar se atje do të jetë më i sigurtë. Kur djali ynë Mentori i tha Fehmiut: “Babë unë nuk dua të shkoj se frikohem mos të vrasin”, Fehmiu iu përgjigj: “Ani, mua le të më vrasin, por unë dua të shpëtosh ti, se po të vrasin ty, atëherë edhe mua do të më kenë vrarë dy herë”. Pastaj u larguam në një skaj, dhe Fehmiu i foli Mentorit që të shkojë me Rexhepin se, “Ty nuk guxojnë të të vrasin pa e jetuar Kosovën, ndërsa mua le të më vrasin, sepse unë jetova për Kosovën”. Këto fjalë më në fund e bindën djalin dhe ai shkoi me Rexhep Ismajlin.
Me këtë menduan se na u hoq një barrë e madhe që e kishim, por më vonë kuptuam se rrugës ata kishin hequr të zitë e ullirit. Në lagjen “Aktash” i kishin ndaluar paramilitarët serbë, e kishin rrahur Mentorin së bashku me një të ri tjetër, ua kishin plaçkitur paratë, dhe Rexhep Ismajlit ia kishin marrë veturën. Pastaj mezi kishin arritur te “Bregu i Trimave” dhe ishin futur në shtëpitë e huaja që i kishin gjetur të zbrazëta, ku kishin qëndruar katër ditë në kushte shumë të vështira me nga 60 veta në një dhomë, dhe ditën e pestë kishin arritur te miku i Rexhep Ismajlit.
Ne që mbetëm në shtëpinë e Rexhep Ismaijlit përjetuam tortura tjera. Pas boshatisjes së “Dragodanit”, policët, paramilitarët dhe ushtria serbe erdhën edhe te na dhe filluan t’i thyejnë dyert e dritaret duke na urdhëruar të dalim jashtë. Aty ku qëndronim ne, nuk arritën t’i thyejnë grilat. Por më në fund u detyruam që të dalim edhe ne. Kur dolëm jashtë filluan të na shajnë e kërcënohen. Pasi nisëm të largohemi unë e Fehmiu, na thanë të paraqitemi te grupi tjetër i paramilitarëve e policëve. Kur arritëm atje njeri e njohu Fehmiun, e rroku për supi dhe i tha: “Keni lypur Republikë, ndërsa keni pasur më shumë se kaq”, dhe na lejoi të vazhdojmë. U nisëm të zbresim kah qyteti, por nuk dinim nga t’ia mbajmë, ishim shumë të shqetësuar.
Rastësisht mu kujtua se aty pranë banon Afërdita, vajza e motrës së Fehmiut dhe shkuam në shtëpinë e saj. U gëzuan të gjithë kur na panë edhe vjehrra, vjehrri i sëmurë filloi të qan prej gëzimit se është gjallë Fehmiu, edhe dhëndri u gëzua shumë, sepse pak më parë ishte përhapur lajmi se i kanë vrarë Fehmi Aganin dhe Blerim Shalën.
Fehmiu u brengos shumë për këtë lajm, dhe nuk dinte a ta demantojë këtë lajm dhe si ta demantojë. Aty qëndruam tri ditë dhe kur edhe këtu arritën policia dhe paramilitarët serbë dhe filluan t’i nxjerrin me forcë njerëzit jashtë, edhe ne u larguam.
Nuk gjetëm zgjidhje ku të fshihemi
Në mesditë Fehmiu veshi mantelën dhe unë i vura një shall në kokë e dolëm nëpër qendër të qytetit ku kishte më së shumti policë, mes Këshillit Ekzekutiv e Bankës Popullore, për të shkuar te djali i vëllaut të Fehmiut. Për fat deri aty kaluam mirë. Edhe te djali i vëllait u gëzuan kur na panë, sepse edhe ata kishin dëgjuar për lajmin e vrasjes së Fehmiut.
Për shkak të sigurisë unë vendosa të kërkoj strehim tjetër, te një burrë i shoqes sime, sepse frikësoheshim mos po na kërkojnë policia dhe paramilitarët serbë. Atë ditë u bë vonë dhe të nesërmen burri i shoqes sime kishte vendosur të na çonte te miku i djalit më të vogël, te Raif Bajrami, por edhe tek ai ishin strehuar shumë njerëz. E ndjenin se Fehmiun duhet ta fshehim në një vend më të sigurtë. Më në fund edhe te Fehmiu lindi një depresion i madh, tërë ditën nuk shtinte asgjë në gojë. Pas tre javësh Raif Bajrami na dërgoi te shtëpia e Sheribanes, vajzës së vëllait të tij, atje e theu derën dhe na futi brenda. Në këtë vend ndenjëm edhe dy javë të tjera.
Në periudhën pasi e lëshuan Ibrahim Rugovën nga arresti, mes partive tona filluan konfliktet e kundërthëniet. Këto gjëra Fehmiu i ndiqte me kujdes të madh nëpërmjet lajmeve. Filloi të brengosej shumë dhe më në fund vendosi të dalim jashtë Kosovës. Djali ynë Mentori e pyeti: “E pse dëshiron tani të dalim jashtë babë, e nuk dëshiroje kur thosha unë”, Fehmiu iu përgjigj: “A e sheh se çka janë duke bërë, vetëm unë mendoj se mund t’i bashkoj partitë tona”.
Ja ku është ky që na e solli NATO-n
Më 6 maj u nisëm të largohemi, Raif Bajrami erdhi e na luti që të mos largohemi. Atë ditë u çuam herët në ora 4 të mëngjesit, për të arritur në Fushë Kosovë që ta mbërrijmë trenin e orës 7.00. U nisëm që të tre, unë, Fehmiu dhe djali ynë Mentori. Ndjehesha tepër e shqetësuar, dhe nga frika se mos na ndodhë ndonjë e keqe, vendosa të hesht e t’i kryej urdhrat e tyre.
Arritëm të hipim në tren dhe rrugës deri te Hani i Elezit, na i kërkuan vetëm dokumentet. Pastaj u dha lajmi se kufiri është i mbyllur dhe nuk na lejonin të zbresim nga treni.
Unë e Mentori orvateshim të bëjmë diçka për të kaluar ilegalisht. Fehmiu nuk dakordohej me këtë. Më thoshte: “Sadije, nuk jam i përgatitur për këtë mënyrë të largimit”, dhe unë heshta.
Kah ora 13.00 treni u nis të na kthejë prapë në Fushë Kosovë. Tre kilometra para se të arrinim në Fushë Kosovë policia, paramilitarët dhe ushtria serbe e ndalën dhe e rrethuan trenin, duke na detyruar të gjithëve që të zbresim në një fushëgropë. Aty filluan maltretimet fizike, psikike, fyerjet, sharjet dhe kërkimi i dokumenteve.
Të rinjtë i kontrollonin nëpër xhepa, dhe kujt i gjenin ndonjë letër e radhitnin për pushkatim, duke u kanosur me armë gati për qitje.
Akademik Fehmi Agani e flijoi jetën për t’i shpëtuar të rinjtë nga pushkatimi
Këtë Fehmiu nuk mund ta duronte. E hoqi mantelën e shallin nga koka. Mentori i tha: “Çka je duke bërë babë”. Fehmiu iu përgjigj: “Shuj se kur të më shohin mua, do tu shkojë mendja tek unë dhe do t’i harrojnë djemtë, që i kanë bërë gati për t’i pushkatuar”.
Më treguan më vonë se është dëgjuar që policët të kenë thënë: “Ja ku është ky që na e solli NATO-n”. Pastaj filluan t’i kthejnë dokumentet dhe na hypën në tre autobusë.
Fehmiu dhe Mentori u ulën, ndërsa unë isha duke kërkuar një vend për tu ulur në autobus, dhe shikova se Fehmiu u çua për të dalë nga autobusi. E pyeta ku po shkon. Mu përgjigj se e ka thirrur një polic jashtë. Në atë moment mu këputën këmbët. Dhe u nisa pas Fehmiut. Kur heca nja 15 metra një oficer policie më tha se: “Kemi një bisedë 5 minutash. I thashë, mirë, dhe u futa në autobus.
Pastaj e pashë që Fehmiun e futën në një veturë ngjyrë të kuqe. Me toki-voki biseduan me dikend afër dhjetë minuta, e pastaj shoferi e nisi autobusin. E luta shoferin që të mos niset, e ta presim Fehmiun, por ai me një shqipe të përzier me turqishte, më bërtiti se nuk e pret më askënd.
Vetura e kuqe u nis në drejtim djathtas, ndërsa autobusi majtas, dhe prej këtij momenti unë i humba për gjithnjë lidhjet me bashkëshortin tim Fehmiun.
Rrugës më kot shikoja se mos e shoh veturën e kuqe, që më mori burrin me vete. Nga stresi nuk e ndjeja veten se ku ndodhem. Ishin çaste shumë të vështira dhe dramatike.
Kur mbërrimë te stacioni i autobusëve, njëri zbriti dhe ne të tjerët pas tij. Mentori më tërhoqi që të largohemi sa më shpejt, dhe ashtu vepruam, por nuk dinim ku të shkonim. Më në fund vajtëm përsëri në shtëpinë e Arifit, dhe tërë natën e lume pritëm se mos kthehet Fehmiu.
Kërkimi për Fehmi Aganin
Në ora 6.00 të mëngjesit shkova në shtëpinë tonë në “Dragodan” me shpresë se mos është kthyer atje Fehmiu, por më kot. Atje nuk e gjeta. Shtëpia ishte demoluar e tëra. Pastaj e kërkova nëpër të gjitha 15 punktet policore, asnjëri nuk më jepte përgjigje. Në punktin te shtëpia e Veli Devës, më udhëzuan të shkoj të pyes në punktin te Këshilli Ekzekutiv.
Atje u paraqita te dera e hyrjes. Një person që kujdestaronte te dera më tha të pres, ndërsa vetë hipi lart të pyeste. Pas 15 minutave u kthye dhe më tha se nuk dinë asgjë për Fehmiun.
Më vonë nëna e Albin Kurtit më udhëzoi që të pyes edhe në burgun e Prishtinës, se mos është atje. Shkova edhe te burgu. Nëpërmjet interfonit më thanë se nuk japin asfarë informatash, dhe duke më sharë më urdhëruan që të largohem.
E lodhur dhe e rraskapitur u ktheva në shtëpi. Nuk më merrte gjumi duke menduar se ku ta kërkoj Fehmiun. Më shkoi mendja se mos e kanë dërguar në shtëpinë e Ibrahim Rugovës. Nëse edhe atje nuk e gjej, atëherë vendosa të shkoj përsëri e ta kërkoj në Fushë Kosovë.
Para se të dilja nga shtëpia e lëshova radion, dhe në atë moment një radiostacion serb në minutën e fundit të emisionit të lajmeve dha lajmin e zi se: “Trupi i Fehmi Aganit është gjetur afër Lipjanit, dhe se e ka vrarë UÇK-ja”.
Nga shqetësimi i madh u humba e tëra, dhe pas një ore e mblodha veten dhe shkova te Qamile Jaka, vjehrra e djalit tim, që të më ndihmojë të shkojmë në morg, pasi ajo kishte punuar në spital dhe dinte të gjendet më mirë.
Lajmin që e dhanë radiostacionet serbe se gjoja UÇK-ja e ka vrarë Fehmiun, e demantoi djali ynë Shpendi nëpërmjet B-bi-si-së, me deklaratën publike se “Fehmi Aganin nuk e ka vrarë UÇK-ja, por e ka vra policia serbe”.
Unë e Qamile Jaka vajtëm në morg. Dhe aty morëm vesh se trupi i Fehmiut gjendej aty. Na pyetën a dëshirojmë ta shohim, dhe pasi ne u treguam të gatshme, na futën brenda. E pamë kufomën e Fehmiut. Ishte qëlluar me plumb nga afër në mes të ballit dhe në dy anët në majë të kokës. E kishin qëlluar qëllimisht me tre plumba në kokë, sepse mëndja dhe koka e Fehmiut i pengonte Serbisë.
Aty e mbajta veten sepse e kisha edhe frikën e djalit-Mentorit, pasi atë e kisha lënë vetë në shtëpi.
Ceremonia e varrimit, vetëm katër gra
Pasi i kryem të gjitha formalitetet e varrimit edhe në organet komunale, më ofruan edhe vendin e varrimit. Me sa duket nga kënaqësia që ndjenin se e kishin vrarë Fehmiun, pushtetarët serbë nuk më bënë probleme dhe më lejuan që ta varrosi afër varrit të Hilmiut, vëllait të vet.
Të nesërmen në ora 11.00 shkuam për ta marrë kufomën, unë, Qamilja, Idajetja-motra e Fehmiut dhe Lulja vajza e motrës së madhe të Fehmiut. Mjeku i morgut na ftoi të hyjmë brenda. Unë nuk pranova.
U ula me një vend dhe pashë që drejt meje po vinin katër persona. Ishin kryetari i Këshillit Ekzekutiv të okupatorit serb, ai i komunës, inspektori i policisë Sasha Cvetkoviq dhe një shqiptar i dëgjueshëm, Selim Guxhufi. Kur mu afruan, më shprehën ngushëllime, por unë i refuzova dhe nuk pranova asnjë ngushëllim prej tyre.
Megjithatë ata filluan të flasin gjoja me keqardhje për vrasjen e personalitetit të Fehmiut, duke thënë se e kanë pasur profesor.
Tani edhe nuk më kujtohen të gjitha, por me kujtohet që inspektori i policisë kërkonte një bisedë me mua, por Qamilja e refuzoi, e ai ia kishte dhënë telefonin, që unë të shkoj pas disa ditësh.
Këta katër persona shprehën dëshirën që të vijnë e të marrin pjesë edhe në varrim, por unë i refuzova ashpër, duke u thënë: “A e dini ju se Fehmiu ka dy djem, ka rrethin e tij të ngushtë e të gjerë të familjes, ka tërë kombin shqiptar, e ata nuk ndodhen këtu, e ju dëshironi të merrni pjesë, kjo nuk mund të ndodhë, unë nuk pranoj që të merrni pjesë në varrimin e tim shoqi”. Ata pas kësaj me një keqardhje të kamufluar u larguan.
Kështu që vetëm ne katër femra shkuam ta varrosin trupin e Fehmiut. Në varreza na pritnin katër romë, të cilët e lëshuan në varr trupin e pajetë të Fehmiut.
Pasi e mbaruam varrimin, na ofruan makinën që të udhëtojmë nga varrezat për në shtëpi, por ne kategorikisht e refuzuam dhe u kthyem në këmbë.
Pas kësaj inspektori i policisë më kërkoi disa herë për të biseduar, por unë nuk pranoja të shkoja. Edhe nëpërmjet kartelës së lindjes që pati nusja jonë në vitin 1992, policët janë munduar të na hyjnë në gjurmë e të na gjejnë, por nuk arritën.
Si mund të jetë ekzekutuar
Dikur u bëra nervoze dhe caktova orën për të shkuar të bisedoja me inspektorin e policisë që më kërkonte kahmos, por atje më doli një inspektor tjetër i policisë, i cili kishte arritur nergut nga Beogradi. Bindja ime është se, ky inspektor ka qenë i dërguar nga Sllobodan Millosheviqi, për të mësuar mendimin e familjes sonë lidhur me ekzekutimin e Fehmiut, sepse vrasjen e Fehmiut ata mendonin ta mbanin si gjë sekrete.
Tani pas kësaj kur e kthej këtë film tragjik prapa, dhe kur e analizoj ngjarjen që ndodhi ditën kur e morën Fehmiun dhe e futën në veturën e kuqe, aty kah ora 17 e 15 minuta, dhe deri në ora 19.00 e 20 minuta kur edhe është ekzekutuar, dalin dy orë të plota. Sipas mendimit tim Fehmiun me siguri e kanë pru nga Fushë Kosova në Prishtinë. Aty kanë vënë kontakt me kriminelin Sllobodan Millosheviqin, ku me siguri krimineli Sllobodan Millosheviq është munduar me lutje dhe kanosje për ta bindur për ndonjë gjë Fehmiun, dhe kur e ka pa se Fehmiu nuk pranonte, e ka dhënë urdhrin që të ekzekutohet.
Pas varrimit të Fehmiut ne nuk organizuam pritje për ngushëllime, për shkak të sigurisë së familjes ku ishim të vendosur.
Me të mësuar për vrasjen mizore të Fehmi Aganit, mbledhje komemorative u organizuan në Shkup, Tiranë e gjetiu.
Pas dy javëve nga dita e varrimit edhe ne vendosëm të largohemi nga Prishtina, por tani nëpërmjet Kryqit të Kuq Ndërkombëtar nëpër Jazhince dhe u vendosëm në Tetovë, ku ishte vendosur më parë djali ynë Shpendi me nusen e tij dhe fëmijët, pas tetë ditësh e netësh duke pritur në Bllacë, me nusen shtatzënë shtatëmuajshe.
Secili prej nesh ka një histori të veten
Kësaj radhe patëm fatin dhe arritëm ta kalojmë kufirin, por pa Fehmiun.
Pas mbarimit të luftës LDK-ja organizoi shënimin e tre mujorit, pastaj të një vjetorit të vrasjes së Fehmiut, duke dhënë mirënjohje, duke bërë homazhe dhe duke vendosur kurora me lule mbi varrin e Fehmiut, ku morën pjesë shumë njerëz dhe shokë të të ndjerit.
Këso takimesh komemorative organizoi edhe Akademia e Shkencave të Kosovës, Fakulteti Juridik, degët e LDK-së në Gjakovë, Gjilan, SH.H. “Nënë Tereza”, spitali i Gjinekologjisë, me ç’rast të ndjerit i janë dhënë mirënjohje post mortum.
Tubime përkujtimore me rastin e gjashtë mujorit të vdekjes janë mbajtur edhe në Gjakovë e Prizren, me ç’rast janë evokuar kujtimet për të ndjerin Fehmi Agani.
Familja Agani në Medresenë e Prishtinës organizoi pritjen për ngushëllime, tha në fund z. Sadije Agani.
Presidenti i Shqipërisë e dekoroi post mortum akademikun Fehmi Agani
Më 21 dhjetor 2001, Presidenti i Shqipërisë, Rexhep Mejdani e dekoroi akademikun Fehmi Agani post mortum me Urdhrin e lartë “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” për kontributin e tij në zhvillimin e arsimit dhe të shkencës në Kosovë dhe përkushtimin e tij në mbrojtjen dhe zgjidhjen e çështjes kombëtare.
Këtë dekoratë e pranoi znj. Sadije Agani, bashkëshortja e të ndjerit, së bashku me të birin Mentorin që ishte në studime pas universitare – shoqëria civile, në SHBA.
Zonja Sadije Agani me këtë rast duke falënderuar anëtarët e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe anëtarët e Presidencës, tha se: “Ky nderim nga ana e Presidentit të shtetit Shqiptar për ne është me rëndësi të veçantë. Fehmiu tërë jetën e tij e çoi duke punuar për çështjen shqiptare. Fushat e dijes e të shkencës ishin veprimtaria e tij jetësore. Arsimimi i brezave të rinj ishte objektivi ku punonte me dashuri të vazhdueshme. Organizimit të institucioneve të kulturës e të shkencës u kushtoi angazhim të madh. Brenga e tij ishte bashkëpunimi dhe mirëkuptimi midis forcave shqiptare, por edhe me të tjerët. Rezultatet e punës së tij i vlerësoni më mirë ju dhe ata që do të vijnë pas nesh. Unë e di se masë për çdo gjë në punën e tij ishte liria, dinjiteti, respekti për tjetrin dhe veten. Liria kombëtare ishte vlerë parësore e tij. Unë dhe fëmijët tanë ndjehemi krenarë që ishim pjesë e jetës së tij në këtë luftë të vazhdueshme”, qe shprehur znj. Sadije Agani.
Fehmi Baftiu, jurist, avokat e publicist, njëherit atë kohë, kryetar i komisionit statutor në LDK, udhëheqës i shërbimeve të kryesisë së LDK-së, bashkërendues i komisioneve parlamentare, kryetar i Degës më të madhe së LDK-së “Qendra”, dhe ndihmës i z.Adem Demaçi-udhëheqësit politik të Zyrës së UÇK-së në Prishtinë, lidhur me personalitetin e të ndjerit Fehmi Agani, na tha sa vijon: “Fehmi Agani ishte motor i të gjitha arritjeve politike në LDK. Ai bënte bashkërendimin e të gjitha formave të organizimit politik të LDK-së dhe partive të tjera. Ishte personi që bëri ngritjen dhe aftësimin politik të vetë Ibrahim Rugovës. Ishte amortizues i të gjitha konflikteve ndërpartiake. Ishte këshillëdhënës i rregullimit të raporteve politike. Dha kontribut të madh në drejtim të avancimit të çështjes kombëtare. Ishte nismëtar i të gjitha lëvizjeve që ripërtërinin amullinë politike në Kosovë. Ishte bashkërendues i veprimeve politike në terren. Udhëheqës i urtë politik dhe filozof i krijimit të politikës avancuese. Ishte shumë i afërt me Ibrahim Rugovën në ngritjen politike te të cilit ka ndikuar më së shumti.
Në tërë aktivitetin e vet Fehmi Agani iu dha çështjes kombëtare, por që për qëllim kishte zhvillimet politike në terren përmes një lëvizje paqësore. Ishte artikulim i qëllimeve të tij, dhe për aq sa punoi ishte uniteti politik i partive politike shqiptare.
Vdekja e tij është enigmë më vete. Si bashkëpunëtor i tij, lirisht mund të them se vdekja e tij ka qenë pasojë e aktivitetit të tij politik, por edhe e frikës nga njohuritë e ecurive politike në Kosovë, që ai i njihte, e që dikujt nuk i shkonin për shtati.
Fehmi Aganin e vranë serbët, për këtë nuk ka asfare dileme, por qëndrojnë edhe dyshimet e mësipërme.
Në mbledhjen e Rambujesë Fehmi Agani ishte njëri nga më aktivët në unifikimin e qëndrimit të faktorit shqiptar atje”, thoshte Fehmi Baftiu.
Me të drejtë shtrohet pyetja pse udhëheqësit e derisotëm të Kosovës në tërë këto vite në liri e pavarësi, nuk ndërmorën asgjë për nxjerrjen para drejtësisë të policëve kriminelë të Serbisë kriminale që e vranë mizorisht akademikun Fehmi Agani?! / FUND