Saturday, February 4, 2023
Lajme

Gjykata asnjëherë nuk e dënoi Kobrën me burgim efektiv

24views

Nga 16 aktgjykimet dënuese ndaj Dritan Hoxhës  – “Kobra”, nuk është marrë asnjë vendim me burgim efektiv.

Prej tyre, në 12 raste Dibran Hoxha është obliguar të paguajë gjobë ndërsa në 4 raste është dënuar me kusht.

Me gjithë insistimin e “Betimit për Drejtësi”, për të zhvilluar intervistë me kryetaren e Gjykatës Themelore në Prizren, gjykatësen Shpresa Emra ka refuzuar të prononcohet.

Megjithëse në kërkesën për intervistë është theksuar se fokus është edhe e kaluara e tij kriminale, Emra duke iu referuar fazës hetimore të rastit të 3 janarit, arsyetohet se nuk është kompetente të deklarohet.

“Ju informojmë se Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prizren, znj. Shpresa Emra, ka analizuar dhe vlerësuar kërkesën tuaj, mirëpo sipas Opinionit të Komitetit Këshilldhënës për Etikë Gjyqësore me numër KKEGJ.Nr.3/2022 të datës 12 korrik 2022 është rekomanduar  si shkelje të detyrave të gjyqtarit, nëse gjyqtari “bënë deklarata publike gjatë procedurave që janë duke u zhvilluar e të cilat mund të ndikojnë negativisht në gjykim të drejt dhe trajtim të barabartë të palëve në procedurë ose të cilat mund të dëmtojnë besueshmërinë dhe reputacionin e gjykatës apo i komunikon informata publikut rreth përbërjes së paneleve gjyqësore, dëshmive dhe vendimeve që kanë të bëjnë me ndonjë rast, përveç nëse zbulimi i një informacioni të tillë kërkohet me ligj”. Andaj Kryetarja e Gjykatës, vlerëson se nuk ka autorizimet dhe nuk është kompetente të flet dhe të prononcohet për temën të cilën i referoheni”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Komunikim me Media dhe Publikun të Gjykatës Themelore në Prizren, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Por, çfarë ndodhi me 4 dënimet me kusht të shqiptuara ndaj Dibran Hoxhajt?

Sipas ligjeve në fuqi në momentin kur një person dënohet me kusht, i njëjti duhet të mbikëqyret nëse e plotëson kushtin e gjykatës.

Për këtë mbikëqyrje përgjegjës është Shërbimi Sprovues i Kosovës.

Por, pas kërkesave për informacione të adresuara në Ministrinë e Drejtësisë, rezulton se përgjegjësitë nuk e kishin mbikëqyrurë asnjëherë “Kobran”.

 Gjyqtari që kishte marrë vendimin nuk e kishte informuar në asnjë rast këtë institucion.

“Në rastin e Hoxhaj, gjykata i ka shqiptuar dënimet me kusht, por nuk e ka urdhëruar Shërbimin Sprovues ta bëjë verifikimin e ekzekutimit të dënimit me kusht dhe Shërbimi Sprovues nuk ka pranuar asnjë vendim të shqiptuar nga gjykata për rastin konkret. Andaj Shërbimi Sprovues deri sa nuk ka pasur në mbikëqyrje dhe ekzekutim, të njëjtin nuk ka mundur të jetë në dijeni se a ka pasur edhe ndonjë vepër tjetër gjatë periudhës së dënimit me kusht”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë e Drejtësisë.

Shala thotë se në këtë rast, secili gjyqtar i rastit ka shkelur ligjin.

“Ligji për ekzekutimin e sanksioneve penale përcakton obligimin e gjykatave që për secilin rast kur shqiptojnë aktgjykim përmes të cilit shqiptojnë dënim me kusht, duhet të njoftohet edhe Shërbimi Sprovues i Republikës së Kosovës. Në këtë drejtim, nëse ka ndodhur që është shqiptuar dënimi me kusht dhe nuk është njoftuar shërbimi sprovues kemi të bëjmë me shkelje të ligjit për të cilin fakt gjyqtarët duhet të mbahen përgjegjës”, ka thënë Shala.

Hoxhaj rezulton të jetë treguar edhe i pabindur ndaj kërkesave të gjykatës, pasi në mungesë të tij në seanca, janë lëshuar 3 urdhërarreste për të.