Saturday, January 28, 2023
Lajme

Haxhiu: Reçaku, dëshmia për gjenocidin e Serbisë ndaj popullit të Kosovës

23views

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në një postim të saj në Facebook ka kujtuar Masakrën e Reҫakut, duke e quajtur si dëshmia më e fuqishme për gjenocidin serb në Kosovë.

Haxhiu shkruan se në këta rast, janë masakruar 45 civilë shqiptarë të paarmatosur nga ushtria kriminale serbe.

“Do të angazhohemi që brezave t’ua mësojmë mirë historinë me vuajtjet e pashembullta që populli ynë përjetoi nga kriminelët serb në periudha të ndryshme, e veçmas në atë të gjysëmshekullit të 20-të”, shkruan ajo.

Postimi i plotë:

Reçaku është dëshmia e fuqishme në sytë e mbarë botës për gjenocidin e Serbisë ndaj popullit të Kosovës

45 civilë shqiptarë, të paarmatosur u masakruan nga policia dhe ushtria kriminale e Serbisë.

Sikur as kjo të mos mjaftonte, një varg masakrash do të kryheshin me direktivat e regjimit serb ndaj popullësisë së pafajshme e liridashëse, vetëm pse ishin shqiptarë.

Do t’i kujtojmë përherë e do të angazhohemi pandalur që Serbia të marrë dënimin e merituar për të gjitha ato krime që ka kryer, për të cilat nuk pendohet dhe të cilat i mohon.

Do të angazhohemi që brezave t’ua mësojmë mirë historinë me vuajtjet e pashembullta që populli ynë përjetoi nga kriminelët serb në periudha të ndryshme, e veçmas në atë të gjysëmshekullit të 20-të.

Do ta mbrojmë lirinë tonë të shtrenjtë duke kujtuar përherë martirët e rënë gjatë luftës për liri.