
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar pas publikimit të një videoje nga Lëvizja Vetëvendosje, ku ajo ka akuzuar qeveritë e kaluara për keqqeverisje ndërsa sindikatat i ka quajtur partiake.
“Sjellja e partisë në pushtet, me video montazhe plot shpifje, është fashizëm politik — urrejtje e tjetrit vetëm se i përket një grupi tjetër politik. Fundi i çdo lloj fashizmi dihet. Në kohën kur duhet punuar në krijimin e unitetit politik për sfidat që na presin, këta duan t’i ikin përgjegjësisë. Në kohën kur delegacioni i lartë i partnerëve kryesorë të Kosovës zbarkon në Prishtinë, me të cilët duhet të ulen e të dakordohen të gjitha partitë politike, këta të pabesë nxisin urrejtje politike dhe pamundësojnë koordinimin e nevojshëm politik. Propaganda shpifëse dhe mashtrimi nuk po kryjnë punë më. Fundin e keni prekur tashmë”, ka shkruar Hoti.