Saturday, February 4, 2023
Aktuale

Ish-Ambasadori Avni Kastrati, i shkarkuar nga presidentja, fiton lëndën në Gjykatën Kushtetuese

72views

Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se tri shkallët e para të gjykatës ia kanë shkelur të drejtat kushtetuese Avni Kastratit, ish-Ambasadorit të Kosovës në Slloveni, në rastin e padisë së ngritur për shkarkimin e tij me dekret të presidentes Vjosa Osmani.

Gjykata Kushtetuese i ka dhënë të drejtë ish-Ambasadorit të Kosovës në Slloveni, Avni Kastrati, në ankesën e tij kundrejt aktvendimeve të tri shkallëve të para të gjykatës për hedhjen poshtë të padisë ndaj dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shkarkimin e tij.

Në maj të vitit 2021, Avni Kastrati ishte shkarkuar nga detyra e Ambasadorit të Kosovës në Slloveni përmes një dekreti të presidentes Vjosa Osmani.

Kundër dekretit të Presidentes, Kasatrati kishte parashtruar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Kjo e fundit e kishte hedhur poshtë padinë si të palejuar.

Vendimi i Gjykatës Themelore ishte konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit dhe ajo Supreme.

Por Gjykata Kushtetuese, përmes një aktgjykimi të shpallur të premten, ka konstatuar se në gjykimin e padisë së ushtruar prej ish-Ambasadorit Kastrati, tri shkallët e gjykatave kanë shkelur dy nene të Kushtetutës të Republikës së Kosovës.

“Gjykata, duke aplikuar këto parime në rrethanat e rastit konkret, konstatoi se dekreti i kontestuar i Presidentes për lirimin nga pozita të parashtruesit të kërkesës, ngërthente të “drejta civile” të parashtruesit të kërkesës dhe “kontest” apo “mosmarrëveshje” në kuptim të së drejtës për gjykimit të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe për pasojë, dhe edhe duke u bazuar në dispozitat Kushtetuese dhe legjislacionin e aplikueshëm, i takon grupit të dekreteve të karakterit inpidual të cilat mund të kontestohen në gjykatat e rregullta”, thuhet në aktgjykimin e Kushtetueses.

Rrjedhimisht, Gjykata ka konstatuar se hedhja poshtë e padisë së Avni Kastratit si e palejuar, i kishte pamundësuar atij të drejtën për “qasje në drejtësi”.

Më 20 maj të vitit 2021, Ministria e Punëve të Jashtme kishte shkarkuar nga detyra 13 ambasadorë, përfshirë edhe Avni Kastratin.

Kastrati, para se të shërbente si ambasador në Slloveni, ka qenë kryetar i Komunës së Mitrovicës.