Ish-luftëtari i UÇK-së, Faik Zogaj ka treguar se deri më tani ka pranuar dy ftesa nga Gjykata Speciale.
Ai ka thënë se nuk ka pranuar t’i përgjigjet këtyre ftesave, ndërsa ka treguar edhe një afat që ka për tu paraqitur në Speciale.
“Tashmë më është dorëzuar ftesa e dytë, kam afat deri më 28 nëntor që të paraqitem, por nuk e kam ndërmend të shkoj. Sot e 100 vjet nuk shkoj në Hagë, ndërsa pas ftesës së dytë kanë mundësi edhe të më arrestojnë”, ka thënë Zogaj.
Ai ka thënë se do të akuzohet për dëbimin e dy qytetarëve serb nga komuna e tij, por i ka hedhur poshtë këto akuza.
“Unë jam i akuzuar për kinse dëbimin e dy qytetarëve serb nga komuna ku jetojmë, por kjo nuk është e vërtet. Unë me civil nuk kam pasur punë, kam pasur punë me serb në uniformë të cilët edhe sot po t’i shoh, unë do t’i kisha sulmuar. Unë e kam pranuar fajin për djegien e dy shtëpive të dy paramilitarëve serb, të cilët më kanë vrarë edhe familjar të mi, vepër kjo për të cilën e kam mbajtur burgun në vitin 2000, kur jam dënuar nga UNMIK-u”, ka thënë Zogaj.
Ai ka thënë se nuk pranon t’i përgjigjet Gjykatës Speciale edhe pas thirrjes publike që Hashim Thaçi i kishte bërë ish-luftëtarëve të UÇK-së, duke thënë se nuk pranon të shkojë në Hagë pa u hetuar edhe krimet serbe në Kosovë.