Saturday, February 4, 2023
Aktuale

Kritikon ashpër Abdixhikun, Molliqaj: Bëje Asociacionin Albin – po thotë Lumiri

101views

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Daradan Molliqaj, ka kritikuar kreun e LDK-së, Lumir Abdixhikun, pasi ky i fundit tha se Qeveria e Kosovës duhet të procesojë tutje për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Molliqaj ka thënë se Abdixhiku po shënon “progres”.

“Filloi me porosinë ‘të rrimë’, duke mos bërë asgjë se kështu pushteti rrëzohet vetvetiu. Tash e paska bërë një shkëputje, një goxha hop”, ka shkruar Molliqaj, në një postim në Facebook.

“Bëje Asociacionin Albin!, – po thotë Lumiri. Shihe logjikën: e jap këshillën unë, ia hapi rrugën këtij, e bëj edhe një plus kah Dragodani, dhe presim pastaj se ky qe po e realizon këshillën time publike do të dëmtohet. Kjo me siguri se nuk është analizë, por ç’të thuash?!  Duket se kompleksi ‘arsyeton’ gjithfarë absurdi”, ka thënë Molliqaj.

Ai tha se “konkurrenca negative s’ka të ndalur. Mundet Lumiri edhe përtej kësaj. Ta zëmë, pse mos me ia lypë një autorizim kryeministrit dhe të shkruajë e të nënshkruajë në vend të tij”.

“Opozitës aktuale do t’i kërkojmë përgjegjësi. Përgjegjësi për qëndrimet e dëmshme dhe mungesën fare të qëndrimeve. T’ia shtrosh me lule këtij kryeministri rrugën e Asociacionit i bën dy dëme: vetë dëmin e Asociacionit pa njohje; dhe fundi i këtij procesi është uvertura e një faze të re autoritarizmi. Tash që po bëhet i dëgjueshëm jashtë, më shumë dorë e fortë do t’i lejohet brenda. Gjithandej, këtë tregim e kemi parë. Ju jeni me faj për ketë skenar që po fillon”, ka shkruar Molliqaj.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në një intervistë për KP, ka folur edhe për çështjen e Asociacionit.

Ai tha se Qeveria e Kosovës duhet të procesojë tutje për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në bazë të vendimi të Gjykatës Kushtetuese, kërkesë e cila është edhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.