Wednesday, February 1, 2023
Lajme

Kundërshton që lulëkuqja me petale të bëhet simbol i gjenocidit, Nurellari: Duhet një simbol unik e autentik për të përfaqësuar tragjedinë tonë

5views

Qendra “Gjenocidi në Kosovë” i ka reaguar anëtarit të Kryesisë së PDK-së, Adri Nurellarit i cili është kundër kërkesës që lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol i përkujtimit të viktimave të gjenocidit në Kosovë.

Ky i fundit ka thënë se i vie keq për nivelin sipërfaqësor pasi siç thotë ai “kryesisht përbënte një shkarje logjike e tipit argumentum ad hominem sepse merrej kryesisht me mua dhe jo me ato që shkruaja unë”

“Pra në substancë nisma është gabim qoftë kur vjen fjala tek pyetja ku e qoftë tek pyetja kur. Vlen ta ritheksoj se gjenocidi është bërë ndaj shqiptarëve të Kosovës, dhe nuk është bërë thjesht “Gjenocid në Kosovë” sepse komunitetet e tjera etnike banore të Kosovës nuk kanë qenë caku i gjenocidit. Po ashtu duhet ritheksuar që gjenocidi ndaj shqiptarëve, jo vetëm të Kosovës, por të të gjitha trojeve, ka nisur me krjimin e shteteve të reja në Ballkan dhe oreksin e tyre shovinist për t’u zmadhuar në kurriz të trojeve shqiptare’, shkruan mes tjerash në Facebook Nurellari.

Nurellari thotë se duhet një simbol unik e autentik për të përfaqësuar tragjedinë e Kosovës.

Reagimi i plotë:

E lexova reagimin e bërë ndaj meje prej Qendrës “Gjenocidi në Kosovë” edhe me erdhi keq për nivelin sipërfaqësor pasi kryesisht përbënte një shkarje logjike e tipit argumentum ad hominem sepse merrej kryesisht me mua dhe jo me ato që shkruaja unë. Demek sipas z. unë nuk kam gojë të flas për gabimet në formë e përmbajtje të propozimit të tij sepse vetë nuk kam bërë gjë në këtë fushë. Nuk dua të flas në hollësi as për nismën për kujtesë kolektive e drejtësi tranzicionale të para pak viteve të ndërmarrë nga ish-kryetari i PDK-së Veseli dhe as për përpjekjet për promovimin e çështje çame në Shqipëri, gjatë kohës që isha sekretar i PDIU-së. Kushdo ka të drejtë të flasë për një temë universale si gjenocidi, me rëndësi janë argumentet e dhëna. Dihet mirë që sulmet ad hominem janë sulme personale të bëra kundër një personi dhe jo argumentit të tyre, dhe zakonisht me to, pala që i bën, dëshmon se nuk ka çfarë kundër-argumentesh të bëjë.

Me siguri z. Mahmuti, ka qenë tepër i zënë me angazhimet e tij në Partinë Demokratike Shqiptare apo partinë e tij Bashkimi Demokratik Shqiptar në Maqedoni të Veriut, për të parë përpjekjet shumë-vjeçare të bëra në Republikën e Shqipërisë për të mundësuar rezolutën për zgjidhjen e çështjes çame dhe për të ndërkokmbëtarizuar vuajtjet e popullit shqiptar të Çamërisë. Këtu madje ka qendruar njëra prej kritikave kryesore përmbajtjesore të miat, me të cilat reagimi i z. Mahmuti nuk është marrë aspak. Z Mahmuti çështjen kombëtare e redukton në nivel krahinor apo provincial dhe krimet kundër njerëzimit të bëra në Kosovë i trajton si një zhvillim episodik gjeografik e kohor dhe jo si një përpjekje sistematike ndaj mbarë kombit shqiptar në gjithë trungun e tij etnik, përfshi atyre të Çamërisë.

Pra në substancë nisma është gabim qoftë kur vjen fjala tek pyetja ku e qoftë tek pyetja kur. Vlen ta ritheksoj se gjenocidi është bërë ndaj shqiptarëve të Kosovës, dhe nuk është bërë thjesht “Gjenocid në Kosovë” sepse komunitetet e tjera etnike banore të Kosovës nuk kanë qenë caku i gjenocidit. Po ashtu duhet ritheksuar që gjenocidi ndaj shqiptarëve, jo vetëm të Kosovës, por të të gjitha trojeve, ka nisur me krjimin e shteteve të reja në Ballkan dhe oreksin e tyre shovinist për t’u zmadhuar në kurriz të trojeve shqiptare. Nëse duam të bëjmë drejtësi historike, ne kurrsesi nuk duhet të kujtojmë vetëm krimet e viteve 1998-99, por duhet të rikujtojmë se gjenocidi ndaj shqiptarëve u shpalos së pari masivisht luftës Ruso-Turke me spastrimin etnik të shqiptarëve në Sanxhakut të Nishit gjatë viteve 1876-78 mandej me krimet çnjerëzore të kryera gjatë pushtimin të trojeve shqiptare në Luftërat Ballkanike e për të përfunduar me Luftën e Kosovës. Madje mbase as me të, sepse pasivizimi i adresave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës që po ndodh aktualisht, fare mirë mund të konsiderohet vazhdim i heshtur e i kamufluar i projektit “Naçertanije” të vitit 1844 për krijimin e Serbisë së Madhe Ilija Garashanin, e institucionalizoi si platformë politike dhe juridike shtetërore të Serbisë.

Fatkeqësisht në reagimin e tij Z. Mahmuti nuk jep asnjë kundër-argumentim për kritikën time ndaj nismës për sa i përket përmbajtjes dhe faktit që kjo nisëm reduktohet në një periudhë dy-vjeçare të luftës së Kosovës dhe reduktohet gjeografikisht në Kosovë pa sqaruar që bëhet fjalë për kombin shqiptar si viktimë. Përveçse merret me mua merret edhe me ca shpjegime për formën dhe përzgjedhjen e lulëkuqjes si simbol të gjenocidit në Kosovë duke u përpjekur që ta shesi si diçka inovatore e autentike. Madje kishte edhe një deklaratë të Fakultetit të Arteve që e quante lulëkuqen “gjetje, ide e invencion artistik, çka e bën këtë propozim të veçantë edhe unik” ndërkohq që me sa duket asnjë nga nënshkruesit nuk ka marrë mundimin të shikojë se prej një shekulli miliona njerëz në Britani, SHBA, Kanada, Belgjikë, Australi e dhjetëra shtete të tjera vendosin lulëkuqen çdo 11 Nëntor për të përkujtuar përvjetorin e armëpushimit të vitit 1918 që solli fundin e Luftës së Parë Botërore. Dallim bën Franca që në vitin 1935, për të bërë edhe diferencën ndaj vendeve të tjera dhe për të theksuar ngjyrat e flamurit, vendosi lulen e kokoçelit apo “le bleuet”. Me siguri gjithë ata kuadro të fakultetit e kanë nënshkruar pa e vrarë shumë mendjen si qokë apo favor personal meqënëse është temë emocionale. E them këtë sepse pak po të kërkosh në internet, gjen pafund informacion se si poezia “In Flanders Field,” e kanadezit John Mccrae dhe këmbëngulja e francezes Anna Guerin kanë qenë zanafilla e Ditës së Përkujtimit të Lulëkuqes.

Megjithatë nismëtarët si dhe akademikët nuk kanë nevojë që të informohen për shtetet e tjera që e kanë përdorur lulëkuqjen si simbol të rënëve, sepse ky simbol ka qenë shumë domethënës dhe i përdorur edhe në shtetin okupator ku ata janë rritur vetë. Bozhuri i Kosovës është një lloj autokton lulëkuqeje që është përdorur simbolikisht masivisht nga kolonizatorët sllavë për të kujtuar Vidovdanin çdo qershor. Këto lloj lulëkuqesh sipas mitit serb u rritën prej gjakut të ushtarëve serb të Car Llazarit të rënë në Betejën e Kosovës në 15 qershor 1389. Sipas besimit të serbëve, lulet e bozhurit kanë qenë ekskluzivisht të bardha deri në betejën e Kosovës, kur në tokën e lagur nga gjaku i heronjve serbë mbinë bozhuret e kuqe. Madje për ta përforcuar këtë legjendë zona e Gazimestanit është prej vitit 1953 zonë e mbrojtur nga shteti si rezervat bimor i bozhurës.

Për këtë simbolikë të lulëkuqes njëra nga shoqatat ekstremiste serbo-malazeze më famëkeqje që ka vepruar kundër shqiptarëve quhej “Bozhur”. Po ashtu ka qenë e qëllimtë emërtimi “Bozhur” i hotelit (sot Swiss Diamond) që jugosllavët ndërtuan në zemër të Prishtinës pasi shkatërruan xhaminë monumentale katër-shekullore Junus Efendi apo siç është njohur ndryshe xhaminë Llokaçit. Nuk e di a mund të quhet “gjetje, ide e invencion artistik, çka e bën këtë propozim të veçantë edhe unik” bozhuri i Gjenocidit në Kosovë kur jugosllavët e kanë përdorur këtë lule simbolikisht në shumë vende të Kosovës përfshi këtu paketën “bozhur” të prodhuar dikur në kombinatin e duhanit të Gjilanit apo edhe në logon e klubit futbollistik të Prishtinës.

Z Mahmuti kuptohet që mund të merret me elemente te stilizimit të tipit lulëkuqja e “Gjenocidit në Kosovë” ka katër petale ndërsa ajo e 53 vendeve të Komonuelthit të Kombeve ka 5. Po ashtu mund edhe të japë argument të botanikës e të thojë që mes dhjetëra specieve të familjes së lulëkuqes, lulëkuqja jonë i përket një specie ndryshe nga ajo që propozoi Madame Guerin apo nga bozhuri i Kosovës. Po ashtu mund edhe të thojë edhe gjithë krenari se po të marrësh një lupë apo mikroskop mund të dallosh që “në vend të kokrrave të zeza të farës së lulëkuqes janë prezantuar në rreth figura” viktimash civile, Të gjitha këto janë detaje nuk e ndryshojnë dot faktin se, pavarësisht stilizimeve të vockla, përzgjedhja e lulëkuqjes si simbol nuk përbën aspak një gjetje novatore apo kreative sikurse po pretendohet.

Përkundrazi, përzgjedhja e lulëkuqeve si simbolike që përfaqëson gjakun e derdhur, është ide e konsumuar apo shteruar masivisht nga dhjetëra shtete në vazhdën e një shekulli. Majde përzgjedhja për gjenocidin ndaj shqiptarëve e një simboli të ngjashëm me mitin serb të bozhurit të Vidovdanit përmban elemente të sindromës së Stokholmit dhe mund të konsiderohet e rrezikshme dhe fyese për kujtimin e mijërave shqiptarëve viktima të gjenocidit. Si përfundim, jo vetëm që na duhet një simbol me të vërtetë unik e autentik për të përfaqësuar tragjedinë tonë, por duhet që në të ardhmen edhe të ndërmarrim nisma konkrete për të de-jugosllavizuar shoqërinë dhe për të çrrënjosur ato elemente të shekullit të kolonizimit serb që mbeten ende të pranishme edhe në nivel estetik e kulturor sikurse është referenca e bozhurit.