Wednesday, February 1, 2023
Aktuale

Kurti në Zvicër, pritet të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror

17views

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror që do të mbahet më 16 janar në Davos-Klosters, Zvicër.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

“Po kryeministri Kurti do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos”, thotë Kryeziu.

Takimi vjen derisa krizat e shumta po thellojnë ndarjet dhe copëtojnë peizazhin gjeopolitik.

Lufta në Ukrainë dhe pasojat në ekonomi do të sundojnë edhe këtë herë takimin në alpet zvicerane.

Udhëheqësit duhet të adresojnë nevojat e menjëhershme, duke i hedhur gjithashtu bazat për një botë më të qëndrueshme dhe më elastike deri në fund të dekadës.

Çështjet që pritet të diskutohen janë krizat ekonomike, energjetike dhe ushqimore.

Programi i takimit të 53-të fokusohet në zgjidhjet dhe bashkëpunimin publik-privat për t’i trajtuar sfidat më urgjente të botës.

Në takimin pesë ditor që zhvillohet nën moton “Bashkëpunim në një botë të fragmentuar”, priten krerë nga 50 shtete të botës.

Mes tyre edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, dhe kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez.

Priten edhe presidentë të sapozgjedhur si presidenti koreano-jugor, Yoon Suk-yeol, ai kolumbian, Gustavo Petro dhe presidenti filipinas, Ferdinand Marcon Jr. Nga SHBA vjen  ngarkuari i presidentit Biden për klimën, John Kerry dhe e ngarkuara për tregtinë, Katherine Tai.

Nga Rusia nuk ka asnjë pjesëmarrës. Forumi i ndërpreu marrëdhëniet pas sulmit rus mbi Ukrainë.

Edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror që do të mbahet më 16-20 janar.