Wednesday, February 1, 2023
Aktuale

Kurti tha se kishte shenja të pranisë së tyre në veri, ja kush janë “Ujqërit e natës” – grupi që e cilëson Putinin si ‘hero të madh’

21views

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së fundi ka folur për të përditshmen austriake Die Presse për përshkallëzimin e tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, lidhjet e kësaj të fundit me Rusinë dhe potencialin e përshkallëzimit të mëtejshëm.

Kreu i qeverisë së Kosovës paralajmëroi përshkallëzimin e mundshëm të tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke përmendur si faktor për këtë rreshtimin e mëtejshëm të Serbisë me Rusinë në një kohë kur shumë vende e kanë dënuar ashpër agresionin rus në Ukrainë.

Duke iu referuar situatave të fundit në veri, kryeministri Kurti tha se kishte indikacione për praninë e anëtarëve të grupit mercenar rus Wagner dhe bandës nacionaliste ruse të motoçiklistëve Ujqërit e Natës në veri të vendit dhe afër kufirit.

“Por në të njëjtën kohë, mendoj për faktin se Serbia ka 48 baza ushtarake dhe xhandarmërie në periferi rreth Kosovës. Në kufirin tonë dhe në veri të vendit tonë pamë persona me shenja të bandës nacionaliste ruse të motoçikletave Ujqërit e Natës dhe trupës mercenare ruse Wagner. Ne jemi të shqetësuar: jo vetëm për Serbinë, por edhe për lidhjet e Serbisë me Rusinë.” – ka thënë Kurti në intervistën për Die Presse.

Por kush është Banda e motoçiklistëve “Ujqërit e natës”?

Ujqërit e natës janë një bandë ruse motoçikletash që u themelua mes viteve 80 dhe 90 gjatë epokës së Bashkimit Sovjetik. Midis anëtarëve të saj janë adhurues të rock-ut dhe motoçikletave, të cilët filluan të ndiqnin koncerte në vitin 1983.

Me kalimin e viteve, grupi u përfshi gjithnjë e më shumë në jetën politike të Rusisë. Ata krijun një miqësi të fortë me Kremlinin dhe liderin rus, Vladimir Putin. Ata kontribuan në pushtimin e Krimesë duke patrulluar rrugët e gadishullit me ushtarë të dërguar nga Rusia dhe luftuan për anën pro-ruse në luftën e Donbasit.

Sipas BBC, ata e konsiderojnë Putinin një “hero të madh” dhe thonë se NATO është një “organizatë kriminale”. Ata thuhet se janë të gatshëm të vdesin për Putinin, financuesin e tyre kryesor, i cili kontribuon me miliona para çdo vit.

Klubi krenohet me mijëra anëtarë në të gjithë Evropën Lindore dhe gëzon marrëdhënie të ngushta me presidentin rus, duke bërë që disa t’i quanin engjëjt e Putinit. 

Prania e tyre – dhe roli i tyre në konfliktin e vazhdueshëm – hedh dritë mbi luftën në Donbass, mbi stilin e politikës së brendshme të Putinit dhe mbi marrëdhëniet gjithnjë e në përkeqësim të Rusisë me perëndimin.

Sipas një artikulli të The Guardian, ata ndryshe njihen edhe si “Engjëjt e Putinit”, në një lojë fjalësh që të kujton “Engjëjt e Ferrit”. Ata u angazhuan në mënyrë aktive në pushtimin e fshehtë të Krimesë nga Rusia.

Ata janë hapur homofobikë dhe nuk i lejojnë meshkujt homoseksualë të hyjnë në klub, ashtu si femrat.

Eksperti i Rusisë Mark Galeotti, profesor i çështjeve globale në Universitetin e Nju Jorkut, kishte thënë për The Guardian se Kremlini i kishte sjellë ata nga skajet për të shfrytëzuar pro-putinizmin, ortodoksinë e zjarrtë dhe retorikën antiamerikane.

Kur tensionet separatiste në rajonin e Donbass shpërthyen në një luftë të hapur në pranverën e vitit 2014, duke marrë më shumë se 9,000 jetë deri më sot, Ujqërit e Natës ishin ndër luftëtarët pro-rusë të vendosur për të krijuar “republikat popullore” të shkëputura. 

Disa anëtarë u vranë dhe qeveria amerikane më vonë pretendoi lidhje të ngushta midis klubit dhe forcave speciale ruse. Ujqërit e natës kishin evoluar nga një mjet për të ushtruar fuqi të butë në diçka më të dhunshme.