Mesin e muajit tetor u zbulua se nga Thesari të Shtetit, janë avulluar mbi 2 milionë euro, por edhe pas një muaji nuk ka fakte konkrete se çfarë ka ndodhur saktësisht dhe deri ku kanë shkuar hetimet.
Të gjitha institucionet kanë mbyllur gojën duke mos u deklaruar për rastin e zhvillimet tjera në Thesar, duke u munduar ta kalojnë në heshtje.
Por situata duket të jetë edhe më e ndërlikuar e me zhvillime tjera aty, ku pos policisë e prokurorisë vendëse, me rastin po merren edhe institucion hetues italian Guarda de Finanza.
Përmasat e skandalit financiar mund të jenë më të mëdha. Burime tregojnë se ministrja Hykmete Bajrami i kishte njoftuar krerët e shtetit, liderët edhe për hajni tjera të dyshuara, të ngjashme sikur me 2 milionshin. Burimet tona tregojnë se bëhet fjalë për mbi 30 raste kur ka dyshime për keqpërdorime në Thesarin e shtetit. Megjithatë, një gjë e tillë nuk është konfirmuar nga ministria dhe organet e tjera. Burimet i thanë Syri.net se ministrja Bajrami nuk kishte hasur në mbështetje pasi ua kishte raportuar liderëve dyshimet e saj. Gjithnjë sipas këtyre burimeve, një javë, e shqetësuar nga kjo situatë, ajo nuk ishte dukur as në zyrën e saj.
Derisa ajo tash rezultoi se është e infektuar me Covid dhe se për dy javë, do të jetë në vetëizolim dhe do të punoj nga distanca për aq sa e lejon gjendja shëndetësore.
Nga ana tjetër burimet nga organet e ndjekjes e hetuesisë, tregojnë për bllokimin e disa llogarive të disa personave apo bizneseve, ku edhe janë bërë transaksione nga shuma e parave, që edhe u trasferuan përmes transaksioneve të ndryshme nga Zyra e Thesarit.
Nga Zyra për Informim e Policisë, thanë se Policia e Kosovës i ka bërë publike informacionet zyrtare lidhur me rastin në fjalë. Të gjitha veprimet e mëtejme rreth hetimit të rastit janë duke u ndërmarrë intensivisht në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet komptente dhe organet e drejtësisë, ku për informacione shtesë mund t’iu adresoheni këtyre të fundit.
Nga ana tjetër nga Prokuroria Speciale, thanë se Prokuroria Speciale ka ndërmarrë të gjitha veprimet përkatëse ligjore brenda afateve të përcaktuara me ligj, lidhur me rastin e keqpërdorimit të ndodhur në Departamentin e Thesarit/Ministria e Financave e Republikës së Kosovës.
Ashtu sikur prokuroria edhe policia nuk kanë dhënë informacione tjera rreth ecurisë së hetimeve.
Me rastin tani po merrret edhe Guardia di Finanza, për ta hetuar transferin e mbi 2 milionë eurove që ndodhi kundërligjshëm në këtë dikaster.
Media ka raportuar se ky institucion hetues italian i ka marrë dosjet nga Ministria e Financave për ta hetuar nga afër transferin që çoi miliona euro në një llogari të një biznesi që nuk kishte kryer asnjë punë për shtetin.
Sipas të njëjtin burim, Guardia di Finanza do të auditoi dhe hetoj të gjitha dokumentet, për të parë nëse kanë ndodhur edhe më herët transfere të tilla të kundërligjshme që e kanë dëmtuar buxhetin e shtetit.
Media ka kërkuar informacione të detajuara e ecurinë e hetimeve nga ministrja e Financave Hykmete Bajrami, kryeprokurori Special, Blerim Isufaj e policia por që nuk kanë qenë të gatshëm të deklarohen.
Media ka pyetur edhe në Zyrë Kombëtare të Auditorit, se a janë duke zhvilluar auditime pas zhvilimeve të fundit tek Thesari, por ende nuk ka marrë një përgjigje.