Friday, September 29, 2023
Lajme

​Molliqaj kritikon Kurtin: Deklaratat për Ivanoviqin janë skandaloze, të kërkojë falje

54views

Partia Socialdemokrate (PSD) përmes një aksioni simbolik para Qeverisë së Kosovës, kanë kritikuar kryeministrin Albin Kurti, për deklaratat e tij për ish-politikanin serb, Olivier Ivanoviq në pesëvjetorin e vrasjes së tij. Ata kanë vendosur një improvizim të pllakës përkujtimore me foto portretin e Ivanoviq dhe disa kurora lulesh.

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, tha se deklaratat e Kurtit në përvjetorin e vrasjes së Ivanoviq janë skandaloze dhe të papranueshme.

Molliqaj: Deklarata e Kurtit skandaloze dhe e papranueshme

“Deklarata e kryeministrit të Kosovës në përvjetorin e Oliver Ivanoviq është skandaloze, e papranueshme dhe qëllimin e saj kryesor e ka desubjektivimin e njeriut. Në momentin që ke qasje instrumentale ajo që ndodh në radhë të parë është se qeniet njerëzore nuk kanë subjektivitet, ato janë objekte që marrin kuptim sipas nevojës dhe idesë së madhe që përfaqëson, në këtë rast kryeministri i Kosovës”, tha ai.

Sipas tij, kreu i qeverisë nderoi një person që ka qenë përgjegjës për ekzekutimin e qytetarëve të Kosovës dhe shpërnguljen e tyre nga veriu.

Molliqaj: Kurti nderoi një person që ka qenë përgjegjës për ekzekutimin e qytetarëve të Kosovës

“Mos harroni se kryeministri i Kosovës, javë më parë i quante ekstremistë 9 mijë qytetarë serbë të Republikës së Kosovës vetëm pse nuk i kanë konvertuar targat nga KM në RKS. Ndërsa një person i cili ka qenë përgjegjës për shpërngulje dhe urdhërdhënës të ekzekutimit të qytetarëve të Kosovës gjatë luftës dhe pas saj, për themelimin e një organizate kriminale ‘Rojat e urave’ e ka nderuar dhe vlerësuar më së larti prej gjithë qytetarëve serbë në Kosovë. Pse ndodh kjo? Sepse kryeministri i Kosovës në idenë e vetë të madhe i lejohet të bëjë çdo gjë, të cilën e kanë bërë më herët pushtetet totalitare”, shtoi Molliqaj.

Përkitazi me këtë, ai tha se Kurti duhet të kërkojë falje për deklaratat e tij për Ivanoviqin.

Molliqaj: Kurti të kërkojë falje

“Këto janë shenja të parë të një qasje shumë të rrezikshme për të cilën ne nuk do të tolerojmë. Më shumë se mashtrimi i këtij kryeministri është rreziku i tij. Asgjë nuk është me qenë mashtrues, çka është me qenë i rrezikshëm… Derisa Albin Kurti të jetë kryeministër ky duhet me qenë vendi ku ai e nderon çdo ditë. Të njëjtën kohë ky duhet me qenë një moment kur qytetarët e Kosovës e shohin Albin Kurtin përmes këtij veprimi të tij. Prandaj, kjo është e papranueshme dhe kërkojmë që ai të kërkojë falje për veprimin e tij”, përfundoi ai.

google.com, pub-2164753410198968, DIRECT, f08c47fec0942fa0