Një vit më parë, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, i kishte thënë ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, plotë 18 herë, shko Hashim, në Gjykatën Speciale.
Në një shkrim plotë akuza, Kurti e bënte përgjegjës Hashim Thaçin për sjelljen e Gjykatës Speciale, prandaj tash duhet të shkojë vet dhe të jap përgjegjësi.
Kurti akuzonte Thaçin se ka lënë në baltë popullin si dhe e mohoi UÇK-së.
“Prandaj, ka ardhur momenti që ti të shkosh, atje ku po të thërrasin, në kurthin që vetë ia ngrite ushtrisë çlirimtare, duke ua përdredhur duart deputetëve të partisë tënde e duke na shkelur të gjithëve më 3 gusht 2015. Shko Hashim. Kosova nuk është dashur të ketë gjykatë speciale me paracaktim etnik, por gjykata normale dhe zbatim të ligjit. Tash, edhe nuk kemi gjykata normale e zbatim të ligjit, si në shtetet demokratike, por edhe na është sipërvendosur gjykata speciale si asnjë shteti tjetër. Për të dyja këto je ti që mban përgjegjësi. Prandaj, shko Hashim”, i kishte thënë Kurti, ish-presidentit Thaçi.
Madje, edhe ia përshkruante burgun e Hagës, duke i thënë se atje nuk është tragjedi dhe fatal, e këtë mund ta tregojnë Ramushi, Fatmiri e Batoni.
“Burgu nuk është tragjedi dhe fatal. Sidomos ky i Hagës. Besoj që Ramushi, Fatmiri e Batoni të kanë treguar: aty ka televizor, ushqim të mirë tre herë në ditë, salla për rekreacion dhe libra të panumërt në bibliotekë të pasur. Nuk të ndodh asgjë e keqe atje, përveç faktit që do të kesh kohë të përballesh me ndërgjegjen tënde, të cilën kushedi sa vite ka që nuk e takon më. Shko Hashim”.
“Prokuroria e gjykatës speciale i është sulur komandatëve të zonave, brigadave, batalioneve dhe të njësive tjera. Mos e lejo këtë. Dilju zot atyre. Mbroji ata. Mbroje UÇK-në. Sepse nuk është korrekte të marrësh meritat 20 vjet e përgjegjësinë asnjë ditë. Sa herë të është dashur të mburresh para shqiptarëve në mediat e Prishtinës dhe Tiranës, je shfaqur si luftëtar i shquar i UÇK-së. E kur të është dashur të flasësh për media ndërkombëtare, ke thënë se ke qenë larg linjave të frontit e fushëbetejave të luftës. Si mund të të durojmë tash kur luftëtarët e vërtetë po i thërret prokuroria që e solle ti? Prandaj shko vetë. Shko Hashim”, shkruante Kurti atëherë.
“Më mirë shko Hashim. Shko në Hagë. Ne besojmë që ti nuk je fajtor për luftë, ashtu si çdo person i angazhuar për çlirim, qoftë në front, e qoftë larg frontit si puna jote. Por ne besojmë se ti je fajtor për shumëçka të keqe që na erdhi në paqe, në dy dekadat e fundit. Mos e lër popullin të vuajë, mos e lër Kosovën të paguajë për mëkatet e tua. Shko Hashim”, shkruante Kurti.
Kurti i thoshte Thaçit q të shkonte në Hagë e mos t’i lënte vetëm shokët e tij të shkojnë.
“Shko Hashim. Po pra, shko Hashim. Në Hagë thuaje fjalën tënde me argumente e fakte, në mbrojtje të luftës çlirimtare, të UÇK-së, të shqiptarëve e të historisë sonë. Të takon. Je historiani që ishe në luftë. Bëhu presidenti që hyn në histori. Shko Hashim. Sepse, si po e mendon këtë punë Hashim? Dhjetëra luftëtarë e pjesëtarë të UÇK-së, Sylejman Selimi, Sami Lushtaku, Rrustem Mustafa e deri te Sokol Dobruna, Kadri Veseli e Xhavit Haliti të shkojnë në Hagë, kurse ti në Prishtinë të jesh president me Baton Haxhiun?! Shko ti në vend të të gjithë atyre Hashim. Shko në Hagë. Për ata. Për vete. Shko. Mos e malltreto popullin dhe shtetin, shokët dhe vetveten. Shko ti”, shkruante Kurti.
Por, një vit pas, kur Thaçit, Veselit, Krasniqit, Selimit e të tjerëve iu konfirmua aktakuza nga Specialja, Kurti ndryshoi qëndrim.
Tani, ka dal në mbrojtje të Thaçit e Veselit, të luftës së tyre. Madje, ka kërkuar mbrojtje shtetërore për ta.
“Në Hagë nuk janë duke u përndjekur vetëm inpidët por as nuk mund të mbrohen të pandehurit vetëm si inpid. Shteti i Kosovës duhet ta organizojë e ta koordinojë mbrojtjen e të pandehurve. Ata e pamë se i kanë avokatet e tyre secili, mirëpo nevojitet bashkërendimi nga shteti. UÇK-ja nuk ka qenë e asnjërit, por e të gjithëve dhe që të gjithë duhet ta mbrojmë. Kjo është punë qeverie, sidomos punë qeverie. Ne duhet të jemi bashkë për luftën çlirimtare dhe kundër Serbisë”, shtoi kreu i VV-së.