Wednesday, February 1, 2023
Lajme

Një nga historitë më tronditëse shqiptare, si bëri jehonë në mbarë botën masakra e Reçakut – ky njeri e ndriçoi atë!

61views

Kosova përkujton sot 24-vjetorin e Masakrës së Reçakut, ku u vranë mbi 45 civilë të pafajshëm shqiptarë. Ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, e pati cilësuar Masakrën e Reçakut si krim kundër njerëzimit. 

Më 15 janar 1999, në fshatin Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur. 

Në orët e hershme të mëngjesit të 15 janarit Reçaku u zgjua i rrethuar. Sipas dëshmitarëve, aty rreth orës 6:30 forcat serbe me artileri të rëndë kanë filluar të bombardojnë fshatin. Pas ndërprerjes së bombardimeve, forcat serbe janë futur në fshat dhe kanë filluar bastisjet. 

Masakra e Reçakut tmerroi botën dhe zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë botërore duke u mobilizuar për Kosovën. Tmerret e shkaktuara në fshatin Reçak u vunë në vëmendje të të gjithë botës së civilizuar. Reçaku është ndër vendet që shpalosën të vërtetën rreth planit gjenocidal të ish-kriminelit Sllobodan Millosheviq. 

Pas Reçakut, çështja e Kosovës do të trajtohej në një konferencë ndërkombëtare në Rambuje e në Paris, nga vendimet e së cilës do të pasonte ndërhyrja e NATO-së kundër forcave ushtarake serbe, largimi i tyre nga Kosova dhe vendosjen e administratës ndërkombëtare në Kosovë. 

Reçaku atëbotë kishte zënë vend në mediat dhe kancelaritë e shteteve më me ndikim në botë. Ish-sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, e kishte dëgjuar lajmin dhe ishte zgjuar me ankth se ç’do t’i sillnin orët në vijim Kosovës. 

Ndërkaq, shefi i misionit të OSBE-së, Ëilliam Walker kishte shkuar në vendin e krimit shumë shpejt dhe kishte drejtuar gishtin nga lugina e masakrës duke e përcaktuar krimin me tri fjalë: Krim kundër njerëzimit. 

Pavarësisht, këtij tmerri që u ushtrua ndaj shqiptarëve, Serbia sot e asaj dite nuk arriti të gjykohej për këto krime. 

Fatkeqësisht, Kosova nuk arriti ta shfrytëzonte në mënyrën më të mirë për ta ndëshkuar shtetin serb në arenën ndërkombëtare. 

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Masakra e Reçakut nuk mund të fshihet dhe nuk mund të mjegullohet, në akademinë përkujtimore për 24 vjetorin e këtij krimi makabër. 

Kurti tha se Prokuroria në Kosovë ka lëshuar fletarreste ndërkombëtare për 18 persona që dyshohet se morën pjesë në këtë masakër. 

“Duke u thirrur në dëshmitë e kohës, në deklaratat e 63 dëshmitarëve të intervistuar dhe në provat e Tribunalit të Hagës, Prokuroria e Kosovës ka lëshuar fletarreste ndërkombëtare për 18 persona, serbë, që dyshohen për pjesëmarrje në kryerjen e Masakrës së Reçakut”, tha ai.

Shahu: Serbia gjithmonë ka tentuar në dekadën e fundit ta minimizojë e ta zhdukë masakrën e Reçakut e krimet e tjera  

Publicisti Rexhep Shahu, në një prononcim për gazetën “Bota sot” masakrën e Reçakut e cilësoi si një nga më tronditëset në historinë shqiptare.   

Image

Rexhep Shahu

Kësisoj, ai konsideroi se ne nuk e kemi lirinë si produkt të luftës tonë, por na ka ndihmuar bota sepse është tronditur prej masakrave kafshërore serbe. 

“Masakra e Reçakut është një nga më tronditëset në historinë e shqiptarëve në ndeshjen e fundit shqiptaro serbe. Pas masakrimit të tmerrshëm në 1912-1913 në Kumanovë e në Lumë, pas masakrave në rajone të tjera të Kosovës, pas krye-masakrës në Tivar në 1945 ku serbët masakruan afër 4 mijë djem të rinj të Kosovës, vjen masakra e Reçakut, e Mejes, Krushës etj etj. Por Masakra e Reçakut pati ndriçimin e ambasadorit Walker dhe bota e mori vesh rrufeshëm e u solidarizua me shqiptarët. Ne nuk e kemi lirinë si produkt të luftës tonë, por na ka ndihmuar bota sepse është tronditë prej masakrave kafshërore serbe. Dhe bota demokratike ka vendosur të na shpëtojnë nga bishat serbe që masakrojnë shqiptarët. Ata që e quajnë luftë e betejë fitimtarë të UÇK edhe masakrën e Reçakut falsifikojnë”, deklaroi ai.  

Gjithashtu, Shahu u shpreh kritik, duke thënë se derisa shqiptarët i këndojnë trimërisë se munguar, serbët marrin rolin e viktimës së shqiptarëve dhe fillojnë të vjelin fruta simpatie nëpër botë. 

 “Masakrimi i palëve ndërluftuese nuk sensibilizon botën siç u sensibilizua kur Serbia militare masakroi banorët civilë të Reçakut. Masakra e Reçakut siç e pa ambasadori amerikan Uoker shërbeu si pikë kthese për zhvillimet në favor të Kosovës. Serbia gjithmonë ka tentuar në dekadën e fundit ta minimizojë e ta zhdukë masakrën e Reçakut e krimet e tjera. Edhe në Kukës e zhduken Memorialin e kujtesës për të zhdukë gjurmët e krimeve serbe të 1913. Ndërkohë që shqiptarët i këndojnë trimërisë se munguar, serbët marrin rolin e viktimës së shqiptarëve dhe fillojnë të vjelin fruta simpatie nëpër botë. Shqiptarët nuk kujdesen për të ruajtur gjurmët e krimeve serbe, por ndodh që edhe civilët e vdekur rastësisht në kohën e Luftës, i veshin në fotografi me uniformën e UÇK e ky është mjerimi ynë, fatkeqësia jonë”, theksoi publicisti. 

Në fund, ai tha se tentativat për ta paraqit Reçakun si betejë fitimtarë të UÇK është rimasakrimi i të masakruarve. 

“Neve na ka masakruar Serbia e kjo nuk është turp për ne, është turp për Serbinë kriminale. Ne nuk kemi qenë të aftë të mbrohemi sepse ne na mjafton të mbrohemi e të shpallemi fitimtarë në këngët tona, por ne realitet në masakrohemi prej Serbisë. Edhe tentativat për ta paraqit Reçakun si betejë fitimtarë të UÇK është rimasakrimi i të masakruarve. Ata që janë masakruar nga Serbia kanë gjithë nderimin tonë në përjetësi, sepse Serbia na i ka masakruar për ta zhduk racën shqiptare. Nderim të masakruarve të Reçakut, nderim ambasadorit Walker që sensibilizoi botën që na shpëtoi e na dha lirinë”, përmbylli Rexhep Shahu për “Bota sot”. 

Mehazi: Datë përkujtimore ndaj masakrave, krimeve e gjenocideve serbe në Kosovë 

Profesori Sulejman Mehazi, në një bashkëbisedim me “Bota sot” kritikoi politikanët shqiptarë që nuk po i kujtojnë sa duhet masakrat serbe ndaj Kosovës dhe popullit shqiptar. 

Image

Sulejman Mehazi

Sipas tij, shteti serb këtë pikë të dobët të shqiptarëve e shfrytëzojnë serbët ndërkombëtarisht dhe e rikthen në viktimizim të serbëve. 

“E keqja më e madhe e politikanëve, institucioneve akademike, historike e diplomatike shtetëror të Kosovës, po dhe të Shqipërisë është, se jo që nuk përpiqen të mos i harrojmë e përkujtojmë datat e masakrave serbe të bëra ndaj shqiptarëve të Kosovës, por vetëdijshëm duan që t’i harrojmë sikur nuk na ka ndodhur e nuk na kanë bërë gjë policia, ushtria dhe paramilitarët serbë në Kosovë, si gjithmonë këtë pikë të dobët të shqiptarëve e shfrytëzojnë serbët ndërkombëtarisht në favor të tyre duke e shpallur veten viktimë, aq jemi të pa aftë sa që masakrat serbe në Kosovë, Serbia i rikthen si viktimizime serbe në Kosovë”, deklaroi ai. 

Mehazi e kritikoi faktin se si Qeveria e Kosocës nuk po e shpall “15 janarin- Ditë Përkujtuese Shtetërore të Masakrave Serbe në Reçak”. 

Krahas kësaj, ai përmendi edhe dashamirin e shqiptarëvë, ambasadorin William Walker. 

“Aq sa duhet të vijë dëshmia e gjallë e masakrave serbe në Reçak, ish-ambasadori amerikan Ëilliam Walker, të na përkujtonte datën e 15 marsit 1999, të masakrave serbe ndaj civilëve shqiptarë në Reçak. Në vend që akademikët shqiptarë kosovarë të shkruajnë libra dëshmuese historike për të gjitha masakrat serbe në Kosovë, këtë e ka bërë dashamiri i shqiptarëve, ambasadori i SHBA-së, ëilliam Walker, për masakrat serbe në Reçak. Në vend që qeveria e Kosovës të shpall “15 janarin – Ditë Përkujtuese Shtetërore të Masakrave Serbe në Reçak”, lejojnë që qeveria serbe të mohojë këto masakra e krime të bëra ndaj civilëve shqiptarë. Në vend që të gjitha masakrat, krimet e gjenocidet serbe të shënohen si data përkujtuese gjenocidiale serbe ne Kosovë, lejojmë që presidenti i Serbisë, Vuçiqi dhe qeveria e tij të mohojnë e përvetësojnë si masakra ndaj tyre”, theksoi profesori. 

Ndër të tjera, ai tha se masakrat mund të marrin jehonë ndërkombëtare nëse qeveria jonë të gjitha krimet serbe t’i shkruante me data, orë e vite me shkronja të zeza të mëdha. 

“Jehona më e madhe ndërkombëtare e masakrave dhe gjenocideve serbe në Kosovë do të bëhej atëherë kur qeveria e Kosovës të gjitha masakrat e krimet serbe do t’i shkruante me data, orë e vite me shkronja të zeza të mëdha dhe këto data shtetërore të shpalleshin si: “DATË PËRKUJTIMORE NDAJ MASAKRAVE, KRIMEVE E GJENOCIDEVE SERBE NË KOSOVË””, përfundoi Sulejman Mehazi për “Bota sot”.