Lajme

Një pako vezë, aktualisht po shitet nga 4 deri në 5 euro

95views

Përveç çmimeve të tjera, qytetarët po përballen edhe më rritjen e çmimit të vezëve në treg. Aktualisht në Kosovë, një pako vezë kushton nga 4 deri në 6 euro. Prodhuesit thonë se çmimet e vezëve po ndikohen nga rritja e lëndës së parë, siç është ushqimi për pula vojse.

Sokol Cakolli kishte dalë për blerje. Ai ankohet për çmimet e larta të produkteve siç janë vezët.

“Në market, janë mbi 5 euro vezët. Shtrenjtë e mu deshtë të vija në treg. I mora 4 euro. Këto çmime dhe në përgjithësi edhe te produkteve tjera, janë të pa përballueshme për ne si qytetar” , u shpreh Cakolli.

Edhe qytetarët e tjerë të intervistuar nga RTK, thonë së këto çmime janë të papërballueshme.

“Çmimet janë marramendëse. Për kushtet që kemi por kështu nuk ka ndodhur kurrë te ne”, tha qytetari .

Shitësit në treg thonë se po fitojnë pak nga shitja e vezëve. “Diku deri 5 euro. Kështu gati po i marrim edhe po i shesim.” tha një tregtar.

Njëri ndër prodhuesit më të mëdhenj të vezëve në Kosovë, Agim Sahiti, tregon se janë disa faktorë që kanë ndikuar në rritjen e çmimit të vezëve duke u nisur nga rritja e lëndës së parë për ushqimin e pulave dhe rritjen e pulave vojse si dhe kërkesat e mëdha në treg.

Sahiti nuk e përjashton mundësinë edhe të keqpërdorimit me çmime nga tregtarët.

Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, importi i dy llojeve të vezëve gjatë vitit 2022 ishte në vlerë prej 188 mijë euro, por që krahasuar me dy vitet paraprake, ka shënuar rënie.