Saturday, February 4, 2023
Lajme

Nushi kërkesën e Sveçlës për pasaportat e quan tragji-komike

41views

Sekretari Organizativ i Partisë Socialdemokrate, Nol Nushi e ka quajtur tragji-komike kërkesën e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla drejtuar Gjermanisë për udhëtim me pasaporta të skeduara.

Ai shtoi se nxjerrja e një pasaporte nuk është “shkencë raketore”, por procedurë e thjeshtë, por që po u shkakton shumë probleme qytetarëve.

Sipas tij, kjo është pa përgjegjësi e madhe, por që nuk pret që dikush të jap përgjegjësi, duke shtuar se “këta nuk japin përgjegjësi për kurgjo”.

“Situata tashmë është tragji-komike domethënë është komikë për arsyen se pasaportat apo nxjerrja e tyre nuk është njëfarë shkence raketore është thjesht një procedurë e thjeshtë e aplikimit dhe marrjes së tyre, është tragjike për problemet që po i shkaktohen shumicës së njerëzve në Kosovë”, tha Nushi.

“Kërkesa pastaj ndaj Gjermanisë specifikisht ishte po ashtu tragji-komike sepse pasaportat ne nuk i kemi veç për Gjermani, i kemi për udhëtimet edhe më të thjeshta, shëndetësore, turizmit e këto, po është një papërgjegjësi e madhe edhe nuk po pres që dikush aty jep përgjegjësi sepse këta nuk japin përgjegjësi për kurrgjë”, tha sekretari organizativ i PSD-së.

Ai tha se mund të ketë dallavere në tender. Sipas tij, ministri Sveçla më shumë po merret me aksione policore, por që vlerëson se edhe aty po dështon.

“Nuk dyshoj hiq që mund të ketë, jo vetëm këtu por në çdo tender të Qeverisë tashmë po shihet që nuk ka ndonjë fare qasje ndryshe nga ajo qysh është proklamuar edhe realisht, sigurisht që mund të ketë dallavere”, potencoi Nushi.

“Po nuk e di ata po i japin arsyetimet e tyre, por sigurisht është një mosplanifikim, është mosgatishmëri për me i kryer punët qysh duhet edhe nuk i kanë planifikuar procedurat me kohë, ju e keni parë zoti Sveçla më shumë ka qejf me u marrë me këto aksionet, këto aventurat policore e le që po dështon në ato po dështon edhe në këto procedurat e thjeshta të pasaportave”, tha Nushi.

Kosova përballet me mungesë të furnizimit të letrës për pasaportë dhe patentë shofer që 3 muaj.