PDK në Fushë Kosovë thotë se nxënësit e SHFMU “Mihal Grameno” nuk kanë mbajtur mësimin online tash e katërmbëdhjetë ditë dhe kërkojnë që drejtori i Arsimit, Islam Shabani, të japë dorëheqje
Sipas tyre, është e papranueshme që rreth 3400 nxënës të mbesin pa mësim, shkaku i neglizhencës dhe i papërgjegjësisë së DKA-së në Fushë Kosovë.
Njoftimi i plotë:
Tash e katërmbëdhjetë ditë nuk është zhvilluar mësimi online në SHFMU “Mihal Grameno” të Fushë Kosovës.
Që nga mbyllja e saj për shkak të koronavirusit nuk është mbajtur asnjë orë me platformën zoom, geogle etj. ashtu siç edhe parashihet me planin e Ministrisë së Arsimit. Janë humbur plot 5200 orë mësimore gjatë kësaj periudhe.
Është e papranueshme që rreth 3400 nxënës të mbesin pa mësim, shkaku i neglizhencës dhe i papërgjegjësisë së DKA-së në Fushë Kosovë, e cila nuk është në gjendje ta menaxhojë arsimin as në kushte normale.
Nxënësve u është thënë vetëm ta përcjellin nga televizonet mësimin, por nuk ka pasur asnjë mbikëqyrje apo angazhim të mësimdhënësve në këtë proces.
DKA ka dështuar në përmbushjen e detyrave të saj, andaj drejtori i arsimit në Fushë Kosovë, Islam Shabani, duhet të japë dorëheqje.
Ndërkaq, kërkojmë që sa më shpejt të fillojë mbajtja e mësimit online për nxënësit e “Mihal Gramenos”.