Saturday, January 28, 2023
Lajme

Price: Kosova dhe Serbia duan përparim të shpejtë në dialog për të shmangur përshkallëzimin

43views

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, ka komentuar planin evropian për Kosovën dhe Serbinë.

Ai tha se ky plan e ka mbështetjen e plotë të SHBA-së, ndonëse nuk e ka emrin në të.

“I referohemi si dialogu i BE-së, por është diçka që ka mbështetjen tonë të fuqishme. Mendoj se e kemi parë këtë gjatë kësaj administrate. Vetëm javën e kaluar, zëvendësndihmës sekretari ynë, Gabe Escobar, me përfaqësues të lartë të BE-së – Gjermania, Franca e Italia – zhvilluan një mision të përbashkët në Prishtinë e Beograd për të diskutuar për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Price.

Ai theksoi se liderët e dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë, “theksuan mundësitë e propozimit, theksuan urgjencën e progresit të shpejtë për të shmangur rrezikun e përshkallëzimit të mëtejmë”.

Zëdhënësi i DASH-it tha se SHBA-ja, së bashku me partnerët në BE, pret që palët të përmbushin përgjegjësitë e tyre.

“Si Kosova, ashtu edhe Serbia në këtë rast, duhet të zbatojnë marrëveshjet që i kanë nënshkruar përmes këtij procesi të dialogut, përfshirë progresin e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe ne fuqishëm inkurajojmë serbët e Kosovës që të kthehen në institucionet e Kosovës sa më shpejt që të jetë e mundur për të përmirësuar sigurinë dhe stabilitetin për të gjithë qytetarët”.

Këto, tha ai, janë mesazhet që Kosova dhe Serbia po i dëgjojnë nga SHBA-ja, po i dëgjojnë edhe nga BE-ja, po i dëgjojnë nga shtetet anëtare të BE-së, në këtë rast nga delegacioni që e vizitoi Kosovën dhe Serbinë ditë më parë.

Pra, tha ai, “ne jemi shumë mbështetës të këtij procesi”.

Price shtoi se qasja e SHBA-së ndaj konflikteve dhe tensioneve nëpër botë shpesh konsiston me qasjen që ka ndaj rajonit të Ballkanit.

“Ne mbështesim në disa raste, zgjidhje lokale e në disa tjera zgjidhje rajonale. SHBA-ja e ofron mbështetjen e saj, kur dhe si ne e konsiderojmë të jetë më së shumti efektive. Dhe në këtë rast, dialogu i BE-së, ne besojmë se ka potencialin të jetë mjet efektiv për të ulur tensionet dhe të zgjidh konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë dhe të sjellë nivele më të larta të stabilitetit, prosperitetit dhe mundësive për të dy popujt”, potencoi Ned Price, zëdhënës i DASH-it.