Wednesday, February 1, 2023
Lajme

​Prokurori i Shtetit dhe KiE nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi për shkëmbimin e përvojave

8views

Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, së bashku me Kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi me shefin e Zyrës së Këshillit të Evropës në Kosovë, Frank Power.

Memorandumi ka të bëjë për zbatimin e programit të shkëmbimit të përvojave në fushën e hetimit dhe ndjekjes penale kundër pastrimit të parave, i cili, do të implementohet në kuadër të Projektit të Përbashkët të Bashkimit Evropian / Këshillit të Evropës kundër Krimit Ekonomik (PECK III).

Ky program ka për qëllim që të mbështesë autoritetet vendase, përkatësisht Prokurorinë Speciale, si institucion përfitues i këtij programi, në trajtimin specifik të rasteve gjatë fazave të procedurës penale, rritjen e kapaciteteve profesionale dhe institucionale në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe atij ndërkombëtar, si dhe shkëmbimin e përvojave dhe njohurive të ndërsjella në trajtimin sa më efikas dhe cilësor të rasteve që kanë të bëjnë me pastrimin e parave.

Projekti kundër Krimit Ekonomik (PECK III) është projekt i përbashkët i bashkëfinancuar nga Këshilli i Evropës dhe Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Këshilli i Evropës.