Kosova ende nuk e ka paditur Serbinë për gjenocidin që kishte bërë në luftën e fundit. Edhe tani kur disa pjesëtarë të Ushtrisë Ҫlirimtare të Kosovës po akuzohen në Hagë për disa krime të asaj periudhe, Serbia është paditur nga Presidenti i Kosovës, i cili poashtu është në mesin e të akuzuarve të Hagës.
Serbët me gjithë krimet që kanë kryer në Kosovë ende nuk po gjykohen nga asnjë gjykatë. Kjo mund të jetë edhe si shkak që Kosova nuk është ‘ankuar’ për krimet e tyre.
Gazeta ka kontaktuar njohës të ҫështjeve juridike, për të pyetur nëse ҫështja e mungesës së një padie për krimet serbe do të ndryshonte situatën aktuale me Gjykatën Speciale, ata thonë se në Kosovë mungon vullneti dhe guximi politikë për të ndërmarrë një veprim të tillë.
Burjani: Dialogu, problemi kryesor
Blerim Burjani
Kështu, njohësi i ҫështjeve juridike, Blerim Burjani thotë se ndonëse është paralajmëruar një padi e tillë para dy viteve, ajo nuk ndodhur kurrë. Sipas tij, tashmë janë të njohura edhe arsyet pse nuk është paditur asnjëherë Serbia.
“Është paralajmëruar edhe para dy viteve por kjo padi kurrë nuk ka ndodhur kundër Serbisë, arsyet janë të shumta se mos prishet dialogu, mos po bëhen dëme në këtë periudhë për një marrëveshje me Serbinë e kështu më radhë, e tash kur ka filluar të merren njerëzit nga gjykata e riaktualizojnë edhe këtë ҫështje padi kundër Serbisë, tash është ҫështje e institucioneve të Kosovës të vendosin këtë ҫështje ta hartojnë padinë kundër Serbisë”, thekson Burjani.
Ai thotë më tutje se deri tani nuk ka pasur vullnet as guxim për të bërë një padi kundër Serbisë.
“Deri më tash s’ka pas vullnet politik e as guxim politik për të bërë një padi të tillë kundër Serbisë”, thotë Burjani për “Bota sot”.
Gjoshi: Tash është pothuajse e pamundshme
Adrian Gjoshi
Ndërkaq, avokati Adrian Gjoshi thotë se paditja e Serbisë ka pengesat procedurale, duke thënë se është e pamundur në këtë periudhë. Sipas tij, akuzimi i Serbisë nga ana e Kosovës nuk ka të bëjë me krijimin e Gjykatës Speciale, as me ftesën e serbëve në bankën e të akuzuarve.
“Paditja e Serbisë për Gjenocid ka pengesat e veta procedurale, për të mos thënë është e pamundshme në këtë periudhë. Mungesa e akuzimit të Serbisë nga ana e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar nuk ka të bëjë as me krijimin e GJS e as me ftesën e serbëve në bankën e të akuzuarve. E kam theksuar edhe më parë dhe po e ripërsëris: Prokuroria Speciale, Departamenti për Krime lufte, nuk ka pasur asnjë pengesë që të ngrisë aktakuza kundër kriminelëve serbë. Këtë kanë mundur ta bëjnë shumë kohë para krijimit të GJS, por nuk ka asnjë pengesë që ta bëjnë edhe tash”, thotë avokati Gjoshi për “Bota sot”.
Ai thotë tutje se Gjykata Speciale mund të hetojë dhe akuzoj edhe serbët, duke ndjekur këdo që dyshohet se ka kryer krime.
“Për më tepër, GJS mund t’i hetojë e akuzojë edhe serbët duke qenë se ligjërisht mund të ndjeket kushdo që dyshohet se ka kryer krime. Pavarësisht kësaj, deri më tani kjo gjykatë ka akuzuar vetëm shqiptarët dhe duket se ka një tendencë dhe fokus vetëm ndaj shqiptarëve. Nëse kjo ndjekje selektive vazhdon të jete prezente, do të ishte dështim për këtë gjykatë dhe padrejtësi e madhe për popullin e Kosovës”, thekson ai.