Saturday, February 4, 2023
Lajme

​Qeveria reagon pasi zyrtarët e Listës Serbe morën pjesë në festën jokushtetuese në Banjallukë

66views

Në festën, të cilën entiteti i Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska (RS) e feston me këmbëngulje – ndonëse është jokushtetuese – të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e partisë udhëheqëse të serbëve të Kosovës, Lista Serbe.

Ndërkohë që lideri i Republikës Sërpska në Banjallukë, Millorad Dodik, më 8 janar po shpallte vendimin për dekoratën për presidentin rus, Vladimir Putin, i cili është izoluar nga pjesa më e madhe e bashkësisë ndërkombëtare, përfaqësuesit e Listës Serbe nuk ishin ulur në rreshtin e parë.

Ky rresht ishte rezervuar për mysafirët që përfaqësonin autoritetet e Serbisë. Ndërkaq, në rreshtin e tretë ishin ulur Dragisha Milloviq, Vuçina Jankoviq dhe Ivan Todosijeviq.

Këta tre zyrtarë të Listës Serbe janë të angazhuar në institucionet serbe në veri të Kosovës, të cilat konsiderohen paralele dhe jolegale nga autoritetet në Prishtinë.

Milloviq është zëvendësdrejtor i Qendrës Spitalore Klinike në Mitrovicën e Veriut, Vuçina Jankoviq është kryetar i “Rrethit administrativ të Mitrovicës së Kosovës” që punon në sistemin serb, ndërsa Ivan Todosijeviq është kryetar i Organit të përkohshëm komunal në Zveçan, i cili gjithashtu financohet nga Beogradi.

Pesë ditë më vonë, duke iu përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë (REL), Qeveria e Kosovës theksoi se pjesëmarrja e Listës Serbe në festën e organizuar në Republikën Sërpska, është dëshmi e fuqishme se Serbia ndërhyn në “punët e brendshme të vendeve fqinje përmes tentakulave të saj – siç është Lista Serbe”.

Ekzekutivi kosovar shtoi se zyrtarët e Listës Serbe gjithnjë e më shumë po lëvizin në “rrugë të paligjshme dhe antikushtetuese”.

“Nga barrikadat ilegale në Kosovë në ngjarjet antikushtetuese në Bosnje e Hercegovinë. Nga ‘Asociacioni i barrikadave’ te Republika Sërpska. Nga lufta kundër të rendit dhe ligjit në Kosovë te nderimi i presidentit të Rusisë, Putin”, tha zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

Ai po ashtu vlerësoi se prania e ish-kryetarëve të komunave në ceremoninë e 8 janarit në Republikën Sërpska, mund të interpretohet si shprehje e projeksionit për realizimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashihet të formohet në përputhje me marrëveshjen e arritur në negociatat e Brukselit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Por, Qeveria e Kosovës e kundërshton këtë, ndër të tjera, për shkak të rrezikut që bashkimi institucional i dhjetë komunave ku jeton popullata shumicë serbe do të bartte me vete rrezikun e krijimit të një entiteti që do të destabilizonte Kosovën, si për shembull: pozita që ka Republika Sërpska brenda Bosnje e Hercegovinës, që është një nga faktorët kufizues të funksionimit të atij shteti.