Saturday, January 28, 2023
Lajme

Rashiq: Djalin tim e ndali dhe e intervistoi BIA serbe

29views

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, tha se djali i tij, është intervistuar me orë të tëra nga shërbimi sekret serb në pikën kufitare në Merdarë, derisa ishte duke dalë në territorin e Serbisë si dhe gjatë kthimit në Kosovë.

“Djali im që ka shkuar para disa ditësh, është ndalur për katër orë në Merdare, e ka ndaluar policia, intervistë kur ka hyrë nga BIA, kur është kthyer prapë të njëjtën procedurë, duke i bërë pyetje “ku po punon baba yt” sikur pyetje fëmijëve, por të kuptohemi se është luftë psikologjike që unë të ndihem i pasigurt, që të ndihem i lënduar dhe normalisht që po ndihem, sepse ia marrin telefonin për katër orë, mos të iu tregoj se si reagoi gruaja ime”, tha Rashiq.

Rashiq shtoi se për institucionet në Serbi, serbët e Kosovës janë vetëm numra, prandaj tha se në Kosovë ndihet më i sigurt.

“Për ata ne jemi vetëm numra, nuk jemi as persona, jemi vetëm  ata që mund të përdoren dhe normalisht në aspektin e sigurisë po ndihemi më sigurt, sepse atje ka njerëz të paguar që t’ju pengojnë në cilindo lloj të jetesës. Djali im përveç që është mbajtur katër orë në kufi gjatë rrugës dy herë policia e ka ndalë nga kolona, e ka kontrolluar detajisht dhe në fund i ka shkruar tiketë, dy herë, do të thotë që ju jeni cak aty, dhe nuk ka kurrfarë dyshimi që ky është organizim i të gjithë organizatës shtetërore që merren me djalin tim 20 vjeçar që nuk ka lidhje me politikë”, tha Rashiq.