Sunday, December 10, 2023
Lajme

Rreziqet nga komplotimi ruso-serb, dhe shpresa për shqiptarët!

46views

Kosova dhe shqiptarët përgjithësisht do të mund të përfitonin nga një proces zgjerimi i përshpejtuar, si e kanë premtuar së fundi autoritetet e Bashkimit Europian.

Mbase kjo do të ishte rruga më e mirë, që të kapërceheshin rreziqet nga komplotimi rus së bashku me Serbinë në Bosnjë dhe Kosovë.

Analizat dhe disa vlerësime perëndimore mund të dalin të gabuara, ato të bëra publike, nëse vonohen me procesin e përshpejtimit të anëtarësimit në BE, të gjithë Ballkanit Perëndimor.

Një grimë shprese e kanë dhënë të martën në Bruksel, dy zyrtarët më të lartë të BE-së, Charles Michel, Presidenti i Këshillit Europian dhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, pas takimit me shefin e NATO-s (civil), Jens Stoltenberg, të cilët u takuan për të diskutuar çështjet më të ndjeshme, para së gjithash luftën në Ukrainë, se si mund t’i jepet fund pushtimit rus, dhe rolit apo bashkëveprimit që duhet ta ketë BE-ja me aleancën më të fuqishme ushtarake në botë, NATO-n.

Një dinamizëm i ri

Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel në këtë fillimvit, të martën premtoi se Bashkimi Evropian synon përshpejtimin e procesit të zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërsa, Ukrainës dhe Moldavisë, dy shteteve që Rusia e mbante peng, hapjen e procesit të anëtarësimit, tashmë u është dhënë kjo shans nga BE-ja, ndërsa edhe Gjeorgjia, pritet të përfitojë nga ky proces.

“Ne po forcohemi. Ne po përshpejtojmë procesin e zgjerimit me Ballkanin Perëndimor dhe morëm vendimin historik për t’i dhënë statusin e kandidatit Ukrainës dhe Moldavisë dhe perspektivën europiane për Gjeorgjinë”, ka thënë ai në konferencë me gazetarë, e mbajtur së bashku me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, si dhe me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Ndërsa, Rusia vazhdon të thellojë rënien e saj në krizë, sipas ekonomistëve botëror, për shkak të pamundësisë së përballimit, si në aspektin ushtarak, por edhe për shkak të problemeve të thella në strukturën dhe funksionimin e shtetit, e deri tek falimentimi i “Rublës” ruse, Perëndimi, po qartëson skenarët se si t’i parandalojë, përpjekjet e diktatorit Putin, për t’i përhapur konfliktet jashtë Rusisë.

Image

Pamje nga lufta në Ukrainë

Po ashtu tashmë duket se kanë nisur përpjekjet për ravijëzimin e një organizimi dhe bashkëpunimi, pas humbjes së luftës nga Rusia. Në vjeshtën e shkuar, lufta parashihej, që të përfundonte, në muajt prill deri në qershor. Ky skenar, aktualisht nuk duket se po përmendet si më parë.

Por, Europa dhe Perëndimi tashmë përfundimisht duket se e kanë zgjidhur varësinë nga gazi rus. Gjermania, njëra prej ish-shpenzuesve më të mëdhenj të gazit rus, ka njoftuar se nuk do të ketë asnjë problem me energjinë dhe rezervat e gazit edhe për vitin e ardhshëm, dhe se nuk mund të vihet në dyshim furnizimi i plotë për këtë vit.

Pra, njëra prej kartave kryesore të diplomacisë shtrënguese ruse, ku duket se i ka pasur të varura një pjesë të madhe të shpresave për pushtimin e nisur në Ukrainë, mbase mbi modelimin e shkaktimit të një krize energjetike europiane nëpërmjet gazit, ka rënë, dhe ka dështuar plotësisht.

Në pritje të zgjidhjeve

Ne jemi të prirur të vlerësojmë dhe gjejmë argumente, se në mjedisin e ndryshuar politikë në Perëndim, si pasojë e luftës në Ukrainë kundër Rusisë, të gjejmë konkordancat e interesit tonë.

Sigurisht se në rrethanat e kundërta të mosdështimit të Rusisë, fati ynë, do të mund të ishte në pritje të zgjidhjeve shumë më të këqija, por aleati ynë kryesor SHBA-ja dhe shtetet mbështetëse tona nga Europa, ia dolën me sukses jo vetëm ta parandalonin rënien e Ukrainës nën Rusi, por tani edhe po ia dalin, që t’i zmbrapsin gjithnjë e më shumë forcat ruse nga tokat e pushtuara.

Ndërkohë, që është shtuar trysnia diplomatike ndaj Kosovës, falë edhe gabimeve në vendimmarrje në raport me miqtë perëndimor, ne ende mund të shpresojmë në zhvillime dramatike, ngjarje paksa të papritura, por që mund t’i ridimensionojnë politikat.

Në këtë aspekt, edhe pse pa shumë informacione nga takimi dypalësh, BE-NATO, mund të konkludohet se roli dhe mendimi ushtarak, mund të ketë një këndvështrim tjetër nga politika. Dhe mendoj, se edhe mesazhi i dhënë nga BE-ja, për të përshpejtuar integrimin e Ballkanit Perëndimor, mund të jetë dhënë qartësisht në dritën e vlerësimit të sigurisë nga ushtarakët e NATO-s, dhe pritshmërive të luftës me Rusinë, dhe skenarëve që mund t’i provokojë Kremlini.

Edhe ndryshimi retorik i udhëheqësve të Serbisë, i radikalizuar sa nuk ka kursyer kërcënimet e rënda dhe fyerjet ndaj personaliteteve amerikane, të cilët veçanërisht janë kritikë për sjelljen antidemokratike të Serbisë ndaj Kosovës, si ndaj hulumtueses Ivana Stradner dhe profesorit të Universitetit John Hopkins, Eduard Xhozef, janë një indicie se Beogradi ka marrë informacione për ndryshim gjendjesh dhe skenarësh, të cilat mund ta nxjerrin jashtë pritjeve të realizimit të projekteve në favor të ‘botës serbe’ dhe atyre që dëmtojnë funksionalitetin e shtetit të Kosovës!

Image

Barrikadat në veri, gjatë dhjetorit