Saturday, February 4, 2023
Aktuale

Shala thotë se Kushtetuesja mund ta anulojë në tërësi Ligjin për Paga

83views

Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, tha se Gjykata Kushtetuese ka mundësi që ta anulojë në tërësi Ligjin për Paga.

Sipas tij, kjo gjykatë i ka dy mundësi nëse gjen shkelje kushtetuese.

“Mundësia e parë është që vetëm norma të caktuara të ligjit të cilat konsiderohen se janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës të shfuqizohen dhe që pjesa tjetër e ligjit të mbetet në fuqi. Mirëpo nëse Gjykata Kushtetuese vlerëson se ato nene më pastaj prekin tërësinë e ligjit ka mundësi që ta anulojë gjithë ligjin dhe të obligojë Qeverinë dhe Kuvendin që të rifillojë draftimin e ligjit në mënyrë që të draftohet një ligj në përputhje me Kushtetutën dhe me kërkesat e aktgjykimit”, tha ai.

Tutje Shala deklaroi se ka pasur raste edhe në të kaluarën kur Gjykata Kushtetuese ka anuluar vetëm nene të caktuara.

“Shembull ka qenë Rregullorja e Kuvendit ose ka qenë Ligji për Zyrtarët Publikë që ka anuluar vetëm në raport me institucionet e drejtësisë dhe institucionet e pavarura kushtetuese dhe jo me pjesën tjetër apo ka qenë edhe rasti i Ligjit të Pagave kur e ka shfuqizuar tërësisht ligjin”, shtoi ai.