Saturday, January 28, 2023
Lajme

Shefi i Kabinetit të Presidencës ngre alarmin: Vuçiqi me ekstremistët e krahut të djathtë synon ta destabilizojë rajonin

92views

Shefi i stafit në Kabinetin e Presidencës së Kosovës, Blerim Vela, ka deklaruar se mbështetja për grupin paraushtarak rus “Wagner” nga ekstremistët e krahut të djathtë në Serbi është vazhdim i pranisë të mercenarëve serbë në anën e Rusisë në luftën kundër Ukrainës.

Vela ka thënë se marrëveshja e regjimit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ekstremistët e krahut të djathtë synon ta destabilizojë rajonin.

“Marrëveshja e regjimit të Vuçiqit me ekstremistët e krahut të djathtë synon të destabilizojë rajonin. Shprehja e mbështetjes për ‘Wagner’ nga ekstremistët e krahut të djathtë në Serbi është vazhdim i pranisë gjithnjë në rritje të mercenarëve nga Serbia në anën e Rusisë në luftën kundër Ukrainës”, ka shkruar Vela në rrjetin social Twitter.

Vela në Twitter ka publikuar edhe foto të grupit të kontraktorëve privatë ushtarakë “Wagner”.

Edhe kryeministri Kurti në një intervistë për median holandeze NRC, ka thënë se “pjesëmarrësit e protestave në veri sillen me autobusë nga Serbia në mënyrë që ata të jenë udhëheqës të barrikadave. kemi prova se këta janë persona të maskuar me simbole të grupit paramilitar rus ‘Wagner’, ‘Ujqit e Natës’, kjo një bandë ruse e motoristave besnikë ndaj Putinit, dhe të ashtuquajturës ‘Brigada e Veriut’”.

Kurti thotë se nuk mund t’i publikojë provat, për shkak se “pozicioni se nga ku janë marr fotot dhe videot mund të zbulojë burimet tona”.

Ai i dërgoi ato në prokurori. “Ne do të duhet të vendosim sundimin e ligjit në veri të Kosovës për të penguar paligjshmërinë që po ndodh atje”.