Saturday, February 4, 2023
Lajme

​Tahiri dyshon që Osmani e Kurti janë të përfshirën në aferën e ambasadorit Berishaj

60views

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri hedh dyshime se në aferën e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj janë të përfshirë edhe presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, por edhe persona tjerë qeveritar.

Për këtë arsye ai kërkoi hetim ndërkombëtar dhe shkarkim të ambasadorit Berishaj.

Tahiri u shpreh se si parti opozitare i shqetëson shumë fakti se ambasadori Berishaj ka një mbrojtje të madhe nga institucionet e Kosovës.

“Pra del që zotëri Martin ka marrë diku rreth 1 milionë e 470 mijë euro në një bankë në Kosovë nga viti 2019 deri në vitin 2022 dhe imagjinoni krejt këto para janë tërhequr kesh nga zotëri Martinaj në sy të institucioneve të Republikës së Kosovës. Në sy të inteligjencës financiare, të policisë, të antikorrupsionit…Dhe mos reagimi i presidentes, i kryeministrit dhe mos shkarkimi i tij dhe mos kërkesa që të fillojë një hetim penal ndërkombëtar jo vetëm për Martinaj, por për disa faktorë se gjithë ky manipulim i madh nuk ka ndodhur vetëm me një person, por ka pasur edhe persona dhe kompani tjera të involvuara në shpëlarjen e këtyre parave, prandaj, mos adresimi i këtyre as nga presidentja dhe nga as kryeministri i bënë përgjegjës direkt dhe me gjasë ata janë të përfshirë në këtë aferë dhe siç duket Berishaj po shkoj, shkon bashkë me këta dhe këta kanë vendosur me qëndruar që të tre në pozicione të tyre duke mos i marrë në konsideratë fare gjithë këta artikuj që dalin në Zagreb, Lubjanë, Beograd… I bëj thirrje presidentes dhe kryeministrit shkarkimi i tij nuk mjafton duhet një hetim I thellë penal për këtë çështje”, tha ai.

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri thekson se kanë informacione që edhe persona të tjerë të Qeverisë së Kosovës janë të përfshirë në skandalin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci.

“Ne kemi informacione edhe për përfshirjen e disa personave të tjerë të Qeverisë së Kosovës, pikërisht me personin në fjalë dhe ne nuk do të ndalemi, ne do të kërkojmë përgjegjësi, shkarkimin e tij, hetimin e krerëve shtetërorë për mbrojtjen që po ia bëjnë një personi të tillë, i cili është i involvuar me përmasa mund të them lirisht evropiane. Ne do t’i bëjmë presion politik e demokratik të gjitha institucioneve tona që të vazhdojnë dhe të kenë një bashkëpunim më të madhe me institucionet e rajonit me prokuroritë si në Mal të Zi, Slloveni, Kroaci përmes institucioneve të BE edhe Serbisë, sepse duket se paratë kanë ardhur nga Serbia dhe ne nuk e dimë se ku kanë përfunduar ato para”, theksoi Tahiri.

Duke thënë se Qeveria e Kosovës e ka vendosur vendin në një pozitë të pafavorshme në kuadër të dialogut me Serbinë, Tahiri u shpreh se nuk është në natyrën e partive opozita të merren me çështjen e asociacionit.

“Në pozicionin që jemi pra më shumë duket se Republika e Kosovës do ta formalizojë një lloj moratoriumi, një lloj vazhdimi të status-quos me Republikën e Serbisë, më shumë kërkohet kjo sesa që do ta përmbyllim çështjen e marrëveshjen me Serbinë, kjo është kthim prapa nga viti 2019, 2018, 2017 ku kemi qëndruar dhe mendoj që ky është një dëm jashtëzakonisht i madh që e bën Kurti me komplet establishmentin qeveritar dhe presidencial në vendin tonë…Nuk është në natyrën e partive opozitare që të bëjnë propozime të tilla, sepse ne jemi parti opozitare që nuk e udhëheqim vendim dhe nuk do të marrim atribute, të cilat nuk i takojnë një partie opozitare, ne si të bëhemi pjesë e një agjende që ka qenë jo transparente”, theksoi ai.

Për mos futjen në agjendë të kërkesë së Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës, shefi i grupit parlamentar të PKD-së, Abelard Tahiri I bënë përgjegjës krerët më të lartë shtetërorë.

“Asnjëherë Kosova nuk ka pasur kushte më të favorshme dhe më të mira sesa tani që ta ketë afër anëtarësimin… Kjo është një humbje të një shanse jashtëzakonisht të madhe. Pra, kjo është një faturë, një dështim i madh të cilin e mban në radhë të parë presidentja e vendit, e cila në politikën e jashtme e tash e dy vite ku po bëhen prej që është zgjedhur nuk është vërejtur fare, nuk ka pas fare angazhim, për dy vite nuk mund t’ia numërojmë asnjë sukses të vetëm në politikën e jashtme presidentes së vendit, e cila e drejton dhe është përgjegjësi dhe kompetencë dhe ia jep Kushtetuta e Kosovës. Përgjegjës është edhe kryeministri i Kosovës, të cilin e kemi parë duke abstenuar nga angazhimi i tij nga një agjendë e mirëfilltë që do të duhej ta kishte Kosova në politikën e jashtme. Padyshim që edhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla mban një përgjegjësi për këtë dështim të madh dhe kjo faturë që do t’i kushtojë edhe në të ardhmen Kosovës është një faturë shumë e dëmshme, mosshfrytëzimi i këtij momentumi ku në institucion mungojnë dy kundërshtarët më të mëdhenj të Kosovës siç është Rusia dhe Bjellorusia”, tha ai.