Saturday, February 4, 2023
Lajme

Takimet e ambasadorëve të Kosovës demantojnë “çnjohjet” që i prezantoi Vuçiq

37views

Çnjohjet e Kosovës nga vendet e treta kishin nisur në vitin 2018 si pasojë e fushatës agresive kundërlobuese të Serbisë, kryesisht përmes ideatorit Ivica Daçiç, për të vazhduar më pas me përpjekjet shantazhuese kundër pavarësisë së Kosovës edhe në vitin 2023.

“Kemi nëntë vende që e kanë tërhequr njohjen, presim të dhjetën”, tha Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në konferencën vjetore drejtuar popullit serb ku pretendoi se Somalia, Burkina Faso, Gaboni, Eswatini, Libia, Guinea, Antigua dhe Barbuda, Saint Lucia e Malpet, kishin tërhequr njohjen për shtetin më të ri në Evropë.

Por, nuk kaloi as një javë nga deklarata e Vuçiç-it, kur ambasadori i Republikës Federale të Somalisë në Turqi, Jama Mohamed, përmes një cicërime në rrjetin social Twitter, njoftoi se ka takuar ambasadorin e Kosovës në Ankara, Agon Vrenezi, me të cilin bisedoi për forcimin e marrëdhënieve dy palëshe.

“I nderuar që prita ambasadorin e Kosovës në Turqi, Agron Vrenezi. Ne patëm një diskutim produktiv për forcimin e raporteve tona bilaterale, shkëmbyem informacione dhe pikëpamje rreth çështjeve aktuale në rajon”, shkroi diplomati somalez.

Një ditë më vonë, ambasadori i Kosovës në Belgjikë, Agron Bajrami, përmes Twitter-it, njoftoi për një takim që ka pasur me ambasadoren e Libisë në Bruksel, Amel Jerary, e në diskutim e sipër me homologen e tij, është konstatuar nevoja për thellimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Libisë.

“Diskutim dhe mirëkuptim i madh me ambasadoren e Libisë. Shkëmbyem mendime mbi situatat aktuale në vendet tona dhe rëndësinë e stabiliteti dhe demokracisë për paqen dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor dhe Magrebit. U dakordum për nevojën e thellimit të marrëdhënieve Kosovë-Libi”, shkroi diplomati nga Kosova.

Për më tepër, të enjten, ambasadori i Kosovës në Kanada, Adriatik Kryeziu, takoi ambasadoren e Gabonit në Otava, Engone Rosine Epouse Oliviera, me të cilët diskutoi për forcimin e marrëdhënieve aktuale dypalëshe.

Ndërkaq, ambasadori i Kosovës në Portugali, Ylber Kryeziu, po në të njejten ditë, takoi homologun e tij nga Guinea-Bissau dhe ambasadorin e Libisë në Lisbonë, Saad A. A. Erhayem, nga ku përgënjeshtroi Vuçiç-in rreth pretendimeve të tij se nëntë shtete e kanë çnjohur Kosovën.

“Pritje e ngrohtë nga kolegu im i dashur, ambasadori i Guinea-Bissau në Portugali, Helder Vaz Lopes rikonfirmoi marrëdhënien e mirë që Kosova ka me Gunea Bissau dhe e cila vetëm do të vazhdojë të forcohet”, shkroi Kryeziu në Twitter.

Ambasadori i Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Ilir Kapiti, sot është takuar me Komisioneren e Lartë të shtetit të Eswatinit, në Londër, dhe përveç që demantoi zyrtarët serbë tha se Kosova dhe Eswatini po forcojnë raportet dhe se po eksplorojnë për mundësitë ekonomike.

“Sot bëra një vizitë te Komisionerja e Lartë znj. Thandazile P. Mbuyisa në Ambasadën e Mbretërisë së Eswatinit, në Londër. Ishte kënaqësi të trajtonim ngjarjet aktuale globale dhe ne mezi presim të forcojmë marrëdhëniet tona Eswatini-Kosovë duke eksploruar mundësitë ekonomike”, ka shkruar Kapiti në Twitter.

Edhe Blerim Reka, shef i Misionit në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Nju Jork, takoi ambasadoren e Malpeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Thilmeeza Hussain, e cila është edhe Përfaqësuese e Përhershme e Malpes në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

“Kënaqësi takimi me ambasadoren Thilmeeza Hussain, ambasadore e Malpes në SHBA dhe Përfaqësuese e Përhershme në OKB. Rikonfirmohen marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe: Kosova – Malpe që nga viti 2009”, shkroi Reka.