Krejt ajo që po ndodhë sot me protestat, ka dy motive kryesore, ndërsa të tjerat janë pretekst.
1. Rrëzimi i Qeverisë, edhe pse nuk e kanë idenë se si do t’i fitojnë votat!
2. Të mbrohen nga gjykata speciale, dhe disa të tjerë nga krimet ekonomike që i kanë kryer.
E para, opozita, kryesisht me guxim të Ramush Haradinajt, dhe PDK-së, po synon që ta destabilizojë vendin.
Duke e destabilizuar vendin mund të arrihen qëllimet tjera. P.sh. mund të mbahen zgjedhjet, e edhe nëse nuk fiton opozita, Ramush Haradinaj, mund të hyjë në qeveri, nëpërmjet presionit dhe nevojës për vota e koalicion, për të krijuar një qeveri të qëndrueshme. Edhe kjo aktuale në aspektin numerik i ka të gjitha votat e nevojshme për stabilitet. Po ashtu nuk do të ishte i pamundshëm, një koalicion i VV-së me PDK-në, për shumë shkaqe dhe mundësi përafrimi.
Ramush Haradinaj, klani i tij, dhe PDK-ja si mbështetëse beson se do të arrinte t’i realizonte edhe disa synime me hyrjen në Qeveri.
Ramushi nuk mund ta durojë mbetjen pa pushtet
E para, Ramush Haradinaj nuk mund të rrijë larg fondeve, pra që të mos përfitojnë njerëzit e tij në tenderë. Ai nuk mund ta ndajë pasurinë e tij, për të ruajtur kohezionin e klanit. I duhen fonde e përfitime të padhimbshme, dhe nuk do të mungojnë skuadra e sulmit, mbrojtjes, dhe ‘e qetësisë’?!
Duke pasur pushtet ai më lehtë do ta ketë ta pengojë vendosjen e rendit dhe ligjit, pra që të arrijë, që të krijojë një mbrojtje personale dhe për klanin, nëse do të ndiheshin të rrezikuar nga drejtësia për shkallën e lartë të pasurisë, dhe jetës luksoze që e bëjnë apo për krime ekonomike.
Siç më thotë një politikan, këto grupime janë “të tmerruara dhe në panik”. Prandaj, sipas tij, kanë vetëm një qëllim, ‘kaos dhe destabilizim’.
E dyta, gjykata speciale ka gati një vit e gjysmë që nuk e ka arrestuar askë. Provat e reja dhe zgjerimi i aktakuzës ndaj të arrestuarve aktual, të cilët i ka quajtur Ndërmarrja e Përbashkët kriminale, janë të mjaftueshme, që të thirren për t’u paraqitur para drejtësisë dhe për t’u paraburgosur.
Duket se shumë dëshmitarë nuk janë dorëzuar. Përveç se shumë dëshmitarë kanë vdekur e janë vrarë disa, dhe kanë krijuar vështirësitë e veta për provat, gjykata speciale, po ashtu e ka shfrytëzuar kohën e gjatë që ka kaluar, për të mbledhur më lehtë prova. Klima e heshtjes, frikës, mos dëshmimit duket se janë zvetënuar.
Po ashtu si faktorë i tretë i krizës, motivimit për të protestuar, duke i sulmuar institucionet ndodhë nga pasiguria e inkriminimit të veteranëve, krijimi i një grupi tepër të madh, prej së paku 20 mijë vetash, që e kanë përfituar statusin rrejshëm.
Protestimi në Kosovë është edhe si një mundësi për të shtyrë përndjekjen dhe për të gjetur paqen me krimin e kryer!
Gjykata speciale
Sa i përket gjykatës speciale, nëse i kujtohet publikut, ajo mund të ketë në lëndë në shqyrtim, që Tribunali i Hagës, me shumë gjasë duke i gjykuar si krim i brendshëm, ndërshqiptarë, disa raste nuk i ka çuar deri në fund me sugjerimin, se rastet e atilla mund të zgjidhen nga gjykatat vendore, dhe jo domosdoshmërisht ishin krime lufte. Në mungesë të vënies së drejtësisë edhe për ato raste, si përplot të tjera të pas luftës, atëherë u bë një zgjidhje e re. Gjykata speciale duket se është pikërisht institucioni i duhur, për të ofruar neutralitetin thelbësor për të pasur drejtësi.
Meqë, pra kanë kaluar rreth 20 muaj, pa arrestime, atëherë pritshmëritë janë për emrat e lakuar, prej shumë kohësh në media, dhe disa që dalin vetë, nga aktakuza e deritashme e gjykatës për katër bartësit e dyshuar prej saj.
Atëherë, duke e maskuar të vërtetën, ata po përpiqen të krijojnë destabilitet në mënyrë që të shtyhen arrestimet sa më shumë që të munden.
Klani i Ramushit, duket se është më i rrezikuari tani. Nëse shkojnë disa të dyshuar për krime, dështojnë edhe premtimet e Ramushit, për paprekshmërinë e tyre, gjithashtu mund të ndodhë dobësimi i mëtejshëm i partisë, dhe veçanërisht nëse do të ndodhte edhe arrestimi i tij.
Thuajse të gjithë ata, që janë intervistuar nga Tribunali i Hagës, dhe nuk janë cilësuar qartazi si dëshmitar, mund të arrestohen, si të dyshuar.
Në këtë rast perëndimi i partisë së tij është thuajse i pashmangshëm.
Pensionet
Sa i përket veteranëve, dihet se numri i tyre është nën 20 mijë. Por, numri i deklaruar nga Thaçi duhet marrë me rezerva, sepse nuk merrej parasysh numri i ushtarëve të UÇK-së që luftuan nën komandën e Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës.
Si kam shkruar që në rastin e parë për protestimin, pensionet e invalidëve duhet të jenë stabile, në rrethanat aktuale, nuk duhet të jenë aspak nën 400 euro apo nëse do të ishin në tri shkallëzime, duhej të fillonin nga paga minimale, pastaj në 350-400 euro, dhe 450 deri në 550 euro!
Po ashtu Qeveria duhet të gjejë zgjidhjen apo modelin, duke negociuar dhe bindur ata, se p.sh. mund të kompensohen me hyrjen e një ligji të ri në fuqi, nga ky muaj, p.sh. të atij për skemën pensionale, dhe duke i bindur se as nuk ka nevojë dhe as nuk mund të rregullohet kjo çështje me Ligjin për pagat.
Po ashtu, Qeveria dhe gjykata duhet ta përshpejtojnë procesin e pastrimit të listave. Të paktën, ta ulin në rreth 500 veta gabueshmërinë, dhe më vonë të pastrohet lista në tërësi.
Po ashtu, është evidente, edhe pse askush nuk po flet, se pavarësisht shifrave të larta, të falsifikuara me mbi 20 mijë veta, ka ende jo pak luftëtarë të vërtetë që nuk figurojnë në lista, madje edhe të atillë, që të revoltuar nga mashtrimet e kanë refuzuar statusin e “Veteranit”, qoftë ndonjë edhe duke djegur publikisht dekoratën!