Wednesday, February 1, 2023
Aktuale

​U mbajt mbledhje komemorative kushtuar komandantit të UÇK-së Cen Aliçkaj

47views

Komuna e Deçanit në bashkëpunim me shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, ka organizuar sot mbledhje komemorative, me rastin e ndarjes nga jeta të komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Cen Aliçkaj.

Bashkëshortja e Cenës, Lule Aliçkaj ka kujtuar bashkëshortin e saj, Cen Aliçkaj si komandat për gjithë vendin.

“Lamtumirë, komandanti im. Sot para teje jam krenare si bashkëshortja dhe bashkëluftëtarja jote. Më kokën lart rrinë Ajshja dhe Lavdimi për të dhënë përshëndetjen e radhës, por assesi të fundit. Nuk është e fundit komandat sepse sot po kalon në përjetësi, do vazhdosh të jesh pjesë e pandarë dhe udhërrëfyes për mua, Ajshen dhe Lavdimin. Krahët më të cilët do të përqafoje e zëvendësojnë, krahët e Ajshes dhe Lavdimit. Buzëqeshjen tënde do ta gjejmë në kujtimet tona, ndërsa madhështinë tënde do ta gjejmë në çdo cep të Kosovës. Do ta mbajmë lotin dhe do të buzëqeshim sepse e dimë sesi ndihesh kur do t’i takosh bashkëluftëtarët dhe shokët e idealit. Një ditë do të vimë edhe ne te ti, do t’i mbledh forcat dhe dëshirën për të jetuar, sepse kam amanetet qe duhet përmbushur”, është shprehur Aliçkaj.

Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj në një fjalë rasti ka kujtuar luftëtarin Cen Aliçkaj si një person që ka luftuar aq shumë për Kosovën.

Ramosaj tha se për luftëtarin, nderimi dhe respekti duhet të jenë të përhershme dhe jo të përditshme.

“Luftëtarin e lirisë, Cen Aliçkaj-Cima po e nderojmë sot për trashëgiminë që i ka lënë kombit, që u la brezave që po rriten në shtetin e çliruar të Kosovës, për të cilën Cima luftoi aq shumë. Çdo dimension apo rrugë në të cilën përcaktohemi për të jetuar është e rëndësishme por kur e zgjedh rrugën e luftëtarit të lirisë është diçka e shenjtë, hyjnore, është po aq e rëndësishme saqë nuk mund të përshkruhet si e tillë deri në fund, këtë rrugë e zgjodhi Cen Alickaj, komandat Cima. “A thua mjafton nderime për një luftëtar vetëm pas vdekje?”, për luftëtarin, nderimi dhe respekti duhet të jetë i përhershëm e i përditshëm“, tha Ramosaj.

Ramosaj po ashtu ka shprehur ngushëllime edhe në emër të Nasim Hardianaj i cili tha se ka dërguar mesazh nga telefoni, që në emër të vet dhe bashkëluftëtarëve që ndodhen në burgun e Hagës, i tha lamtumirë luftëtarit të devotshëm të lirisë, Cen Alickaj.

Komandanti i UÇK-së në zonën operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj tha se i kanë thënë Cimë, pasi ishte shqiptar dhe bashkëluftëtar për të gjithë.

“Sot po përcjellim një bashkëkombës, por që ka një jetë të tërë në shërbim të kombit. I ri në lëvizjen e atëhershëm politike për kundërshtimin e padrejtësive që u bëheshin shqiptarëve në ish-Jugosllavi, njëkohësisht veprimtar i palodhshëm që edhe në ndërtimin e misioneve të reja të ushtrisë tonë, i ishte dedikuar. I kemi thënë Cimë, sepse ishte shqiptar për të gjithë, ai nuk kishte dallim, kushdo që ishte në shërbim të atdheut e kombit ai ishte bashkëluftëtar. Kam pasur nderin ta njoh në ditët e para të luftës për liri dhe që atëherë e kam ruajtur atë vlerësim… Shpresojmë se kujtimin për të do ta ruajmë aq mirë siç ishte edhe ai vetë”, tha Haradinaj.

Në emër të shoqatave të luftës në nivel Dukagjini, Gazmend Syla në një fjalë rasti ka vlerësuar Cen Aliçkaj si një figurë të lartë për kombin.

“Ceni dallohet si luftëtar i zoti në betejat Voksh, Junik, Prilep dhe deri ne Koshare. Ai ka qene bashkëluftëtar i shumë heronjve si Shkëlzen Haradinaj, Bekim Berisha, Agim Ramadani, Xhemajl Fetahu e Milazim Berisha e shumë të tjerë, ku ne përpjekje për të tërhequr trupat e pajetë të dy të fundit, Xhemajlit e Milazimit do të merr plagë për vdekje, por misionin e çoi deri në fund. Falë Cenës dhe shokëve të tij sot trupat e heronjve Xhemajlit e Milazimit pushojnë në varrezat e Kosharës”, tha Syla.

Në emër të FSK-së, gjeneral Brigade, Naim Haziri tha se humbja e tij është e rendë për FSK-në. Ai e ka vlerësuar komandantin e UÇK-së si një person me vlera të mëdha e që ka luftuar gjithmonë për vend.

“Është ditë e rëndë për të gjithë ne, veçanërisht për FSK-në, sepse po e përcjellim një pjesëtar të FSK-së, një patriot të madh, por atë po e përcjellim vetëm fizikisht. Është ndarje e dhimbshme për FSK-në, sepse kemi humbur një njëri me vlera të mëdha… Me vuajtjet, sakrificat që ka kaluar Kosova për të qenë e lirë dhe e pavarur Cena të gjitha etapat ka lënë gjurmë të thella…Cen Aliçkaj në luftën e lavdishme të UÇK-së ishte një ndër luftëtarët e orëve të para dhe krah i fortë i gjeneral Haradinaj. Gjithmonë Cena ishte aty ku ishte fronti dhe beteja”, tha Haziri.

Në emër të bashkëluftëtarëve, veteran të UÇK-së, nga Brigada 138 “Agim Ramadani”, Anton Çuni ka kujtuar momentin e fundit që kishte me Aliçkaj, derisa ka treguar edhe amanetin që e kishte lënë.:

“Kemi shumë kujtime, shumë momente të cilat i kemi përjetuar së bashku, por po ndaj një moment të fundit….Momenti i fundit kur Cima i kishte ditët e numëruara dhe ishte plotësisht i vetëdijshëm për gjendjen e tij shëndetësore, por që nuk e kishte këtë brengë. Përmbledhja e atij amaneti ishte “ju lus të gjithë ju qe jeni me politikë, pa marrë parasysh partinë, ideologjinë, karshi rreziqeve ndaj shtetit tonë të jeni gjithë së bashku”, ashtu edhe i premtuam. Jam më së i bindur se po t’i përmbahemi këtij amaneti ai do të ndihej i përmbushur, me buzëqeshje do të lutej per të ardhmen tonë inpiduale e kombëtare. Jam i bindur se do t’ju shërbejë gjeneratave që do të vinë se kush ishte Cen Aliçkaj e bashkëluftëtarët e tij”, kujtoi Çuni.

Ndërkaq, ceremonia e varrimit të komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Cen Aliçkaj mbahet në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Gllogjan, në ora 15:00.

Kujtojmë që ushtari i UÇK-së, Cen Aliçkaj ka vdekur të shtunën. Ai ka qenë aktiv në veprimet kombëtare të viteve 1981, 1982 dhe gjatë gjithë jetës. Në fund të viteve ‘80 dhe në fillim të viteve ‘90, Cen Aliçkaj ka qenë njëri ndër organizatorët kryesorë të Lëvizjes së Studentëve dhe aksionit të pajtimeve të gjaqeve. Për shkak të ndjekjeve nga pushteti i atëhershëm, në fillim të viteve të 90-ta ka migruar në Gjermani. Ai edhe atje e ka vazhduar veprimtarinë kombëtare, bashkë më shumë veprimtarë të tjerë. Veprimet ushtarake të Cenës kanë qenë të një niveli të lartë të trimërisë dhe atdhedashurisë