Wednesday, February 1, 2023
Lajme

Walker flet pasi mori titullin “Doctor Honoris Causa” në Pejë: Askund nuk kam dëgjuar të jetë kënduar më bukur kënga e vendit tim

19views

Ish-shefit të misionit të OSBE-së gjatë luftës në Kosovë, ambasadorit William Walker, të premten iu nda titulli “Doctor Honoris Causa”, nga Universiteti Publik “Haxhi Zeka”, në Pejë.

Walker gjatë fjalës së tij, tha se do donte të fliste për masakrën e Reçakut, por siç tha ai këto fjalë do t’i ruajë për të dielën (15 janar), ditën kur ka ndodhur masakra e Reçakut në vitin 1999.

Ish ambasadori i OSBE-së pas marrjes së titullit “Doctor Honoris Causa” falënderoi Universitetin “Haxhi Zeka”, ndërsa tha se është krenar për marrjen e këtij titulli nga ky universitet.

Ai gjithashtu tha se këtë titull është duke e marr në njërin nga qytetet më të parapëlqyera të tij, duke lëshuar dhe një batutë për kryeministrin Kurti e Behgjet Pacollin.

“Dua të falënderoj Universitetin ‘Haxhi Zeka’, për nderin që më keni bë mua sot. Kam dëgjuar shumë për këtë universitet dhe jam krenar që ta marr çmimin sot. Kjo po ndodh sot në Pejë, njëri nga vendet e parapëlqyera në Kosovë. Mendoj që Kurti dhe Pacolli do të donin të kishin lindur në Pejë. Prej vizitës time të parë në Kosovë asnjëherë nuk e kam lënë pa e vizituar Pejën. Kam marr gjithmonë mikpritjen të ngrohtë, si nga Ekrem Lluka, familja Kelmendi, rektori i Universitetit, etj”, u shpreh ai.

Ai po ashtu tha se kudo që ka shkuar nëpër botë, askund nuk ka dëgjuar të jetë kënduar më bukur kënga e vendit të tij.

“Siç është përmendur në biografinë time, kudo që kam shkuar si ambasador çdo herë është kënduar kënga e vendit, mirëpo asnjëherë nuk është kënduar më bukur se si kori sot këtu. Himnin tim kombëtar që këta e këndojnë aq shumë bukur, kjo më bën të mendoj që ata e kanë kënduar shumë shpesh”.

Walker po ashtu përmendi edhe periudhën e pandemisë, ku tha se fatkeqësisht për tri vite radhazi nuk ka arritur t’i vizitojë qytetarët e Reçakut, raporton Telegrafi.

“Fatkeqësisht në vitet 2020, 2021 dhe 2022 s’kam arritur t’i vizitojë qytetarët e Reçakut, kjo për shkak se nuk ndihesha mirë, dhe kam mbetur në shtëpinë time, për shkak të COVID-19. Jam shkëputur pak nga Kosova këto vite. Një qeveri e re erdhi në vend, personalitete të reja erdhën që do të udhëheqin me këtë vend. Një udhëheqësi e re, e cila duhet të testohet…Kanë ndodhur trazira më tej në peizazhin evropian këto vite. Pra, këto kanë qenë vite të rëndësishme në Kosovë, një kryeministër i ri, kabinet i ri dhe uroj që të bëni zgjidhje të problemeve me të cilat ky vend po përballet”, ka thënë ai.

Walker gjithashtu foli dhe për luftën në Ukrainë, dhe tha se Kosova është shembulli më i ri i këtij realiteti.

“Kam kaluar jetën time siç u përmend në çështje kaotike, në pjesë të ndryshme të botës dhe shembulli më i ri i këtij realiteti ishte në Kosovë. Epo sot është në Ukrainë. Jam njëri prej atyre që kaluar teta muaj duke u marr me botën reale. Me kampet e refugjatëve që kanë dal si pasojë e asaj lufte. Me krimet kundër njerëzimit dhe kjo për mua paraqet dhe përbën realitetin që jo vetëm populli i Kosovës në vitin 1999 e kanë përjetuar, por shumë njerëz në këtë planet sot janë duke e përjetuar botën e vërtetë të gjërave të tmerrshme që po ndodhin. Nuk dua të them që bota është vend i keq, nuk është vend i keq. Nuk dua të them që kompjuterët janë të këqinj, s’dua ta përçoj këtë mesazh. Unë e dua kompjuterin tim. Djemtë e vajza ime bëjnë shumë e shumë gjëra me kompjuter, po ashtu edhe shumë të rinj në SHBA kalojnë shumë kohë në kompjuter”.

Ai ka një këshill për rininë: “Nëse rinia beson në botën e vërtetë duhet të dalin dhe mësojnë ku janë burimet e informacionit…Më e mira është që informacioni të merret nga bota e vërtetë. Dhe do ju dëshiroj të gjitha gjeneratave të reja që të fokusoheni në botën e vërtetë dhe të largoheni nga varshmëria e botës virtuale. Nëse Behgjet Pacolli dhe Ekrem Lluka punojnë më mirë se unë në botën virtuale, por unë dua të jetoj në botën e vërtetë”.